Naim Murseli krejt i transformuar në gjykatë, para vrasjes së Liridonës, pagoi siguracionin e jetës për të përfituar pasuri!

Kosovë&Rajon

Naim Murseli krejt i transformuar në gjykatë, para vrasjes së

I akuzuari në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, Naim Murseli në pyetjen e kryetares së trupit gjykues, Fatime Dermaku, për statusin martesor në seancën fillestare, më 27.01.2025, është përgjigjur se: “E kam Grun e vrame”.

Me tej, mungesa e pajisjes me disa prej shkresave të lëndës të avokatit, Ndrecë Dodaj që mbron të akuzuarin Kushtrim Kokalla dhe avokati Agron Kuqi që mbron të akuzuarin Tom Dodaj, pamundësuan mbajtjen e shqyrtimit fillestar për të akuzuarit e rastit të Liridona Ademajt.

Të akuzuar në këtë rast janë, Naim Murseli, Kushtrim Kokalla dhe Granit Plava për vrasjen e Liridona Ademajt, kurse Tom Dodaj është akuzuar për import, eksport të armëve.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Avokati Ndrecë Dodaj deklaroi se nuk i kishte pranuar të gjitha shkresat e lëndës, përfshirë videoincizimet dhe shkresat e tjera të lëndës për të cilat u demantua nga prokurorja, Javorka Perlinqeviq.

Avokati Dodaj deklaroi se nuk është i gatshëm të vazhdoj këtë seancë pasi që para se të hynte në seancë e ka pranuar aktakuzën dhe nuk është në gjendje që ta këshilloj klientin e tij Kushtrim Kokalla.

Por, prokurorja e rastit deklaroi se lëndën në tërësi e ka pranuar avokati, Skender Gojani më 22.01.2025. Sipas Perlinvçeviq, avokati Gogajni me kërkesë të Dodajt kishte kërkuar që të marrë lëndën dhe shkresat përcjellëse edhe për kolegun e tij.

Prokurorja ofroi si dëshmi edhe shkresën e cila ishte nënshkruar nga Skender Gojani që lënda ishte tërhequr nga prokuroria edhe për Ndrecë Dodajn.

Pas këtyre deklarimeve, Skender Gojani i konfirmoi gjykatës një gjë të tillë, që menjëherë kur kishte marrë telefonatën për ta tërhequr lëndën nga Prokuroria e kishte bërë të njëjtën gjë. Ai shtoi se pas komunikimit me Dodajn nga Prokuroria kishte kërkuar që të marrë lëndën edhe për kolegun e tij, ku sipas Avokatit Goajni, kolegu i tij ishte njoftuar dy herë për t`u marrë vesh për lëndën, nëse dëshiron ta marrë ose të ia përcjellë të njëjtit.

Ndërsa avokati, Kuqi deklaroi se nuk e ka pranuar lëndën përmes emailit pasi që kishte një problem me të dhe nuk ka arritur të zgjidh. Por prokurorja edhe për këtë pretendim tha se pasi kanë provuar dy herë ta dërgojnë lëndën tek avokati, e kanë parë që emaili është i mbingarkuar dhe e kanë telefonuar me qëllim që t`i bëjë zgjidhje.

Avokati Ndrecë Dodaj u gjobit nga gjyqtarja, Fatime Dermaku me 500 euro, pasi nuk përfilli sipas gjyqtares urdhrat e saj dhe i njëjti ndërpriste gjyqtaren.

Paraprakisht Dodajt ju shqiptua vërejtja me shkrim për të njëjtat arsye pasi Dodaj insistonte të merrte fjalën, por që Dermaku nuk ja jepte fjalën avokatit.

Meqenëse dy avokatë u deklaruan që nuk kishin shkresat e lëndës, gjyqtarja njoftoi se nuk ka kushte për të vazhduar gjykimin pasi do të dëmtoheshin të drejta e të akuzuarve. Në këtë seancë parashihej që prokurorja të lexonte aktakuzën kurse të akuzuarit të deklaroheshin lidhur me fajësinë.

Seanca e radhës për këtë rast, u caktua më 31.01.2025.

“E kishte mbajtur për krahu në mënyrë që të mos iu shmangte plumbit”– kështu e përshkruan ngjarjen prokurorja e rastit të vrasjes së Liridona Ademajt, derisa tregon veprimet e Naim Murselit, ish-bashkëshortit të viktimës, në natën kritike kur u krye krimi në një fshat të Prishtinës.

Naim Murseli, Granit Plava, Kushtrim Kokalla e Tom Dodaj janë katër persona, të cilët tashmë po akuzohen nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, nën dyshimin për organizimin dhe vrasjen e Liridona Ademajt – ngjarje që u regjistrua më 29.11.2023, në fshatin Bërnicë të Prishtinës.

KALLXO.com ka arritur që të sigurojë Aktakuzën e plotë të ngritur nga prokurorja, Javorka Prlinçeviq. Kjo e fundit madje në një Konferencë që u thirr nga kryeprokurori Zejnullah Gashi tha se vonesa e Aktakuzës është si shkak i disa dokumenteve dhe kërkesave që ka kërkuar nga Suedia, për të zbardhur motivin që qëndroi mbrapa vrasjes.

Prokurorja e rastit ka përshkruar se Naim Murseli planifikoi vrasjen e bashkëshortes së tij për shkak të raporteve të çrregulluara familjare dhe martesore. Prej këtyre problemeve, siç përshkruhet edhe në Aktakuzë, kishte lindur edhe dëshira për hakmarrje nga ana e Naim Murselit ndaj bashkëshortes së tij.

Gjithmonë sipas Aktakuzës, pas datës 25.06.2022, kur ishte paguar një polisë e sigurimit jetësor në emër të Liridona Ademajt në vlerë prej 3 milionë kruna suedeze, me qëllim që pas vrasjes Murseli të përfitojë dobi financiare.

Këtë plan Dosja e përshkruan se Naim Murseli e ndau me djalin e tezës së tij Kushtrim Kokallën dhe se ky i fundit kishte refuzuar që të kryejë vrasjen, por tutje ka gjetur personin e tretë, Granit Plavën me të cilin e ka njoftuar Naim Murselin.

Gjithmonë sipas Dosjes, më 29.11.2023, në orët e mesditës, Naim Murseli bashkë me Granit Plavën blejnë një armë të tipit ‘Zastava” me ngjyrë të zezë, nga Tom Dodaj, në vlerë 280 euro.

E në të njëjtën ditë, Dosja shpjegon se në intervalin kohor: 20:11-20:18 minuta, në vendin me të cilin paraprakisht ishte dakorduar Naim Murseli me Granit Plavën – plan të dakorduar të cilin e kanë inskenuar që të duket si grabitje e armatosur – është kryer edhe vrasja.

Në Dosje shkruhet se Naim Murseli e kishte lajmëruar fillimisht Granit Plavën me drita të veturës, më pas e kishte kapur për dore Liridona Ademajn, që të mos i shpëtojë plumbit, pasi u shkrep nga Plava. E, që tutje Naimi ka dalë nga vetura me fëmijët dhe është larguar nga vendi i ngjarjes. Me të gjitha këto veprime që ka kryer Naim Murseli, Prokuroria e ka ngarkuar atë me veprën penale të ‘vrasjes së rëndë’.

I pandehuri i dytë është Granit Plava, i cili sipas Prokurorisë në ditën kritike në intervalin kohor: 20:11-20:18 minuta, në fshatin Bërnicë, pas marrëveshjes paraprake që kishte bërë me Naim Muselin, Dosja përshkruan se kreu vrasjen në formë të maskuar, kishte shtënë në drejtim të viktimës, e cila për pasojë edhe ka vdekur. E për të gjithë këtë rast, Plava do të kompensohej me një shumë prej 30 mijë eurosh.

Sipas Dosjes së Prokurorisë, Plava ishte afruar drejtpërdrejt me viktimën dhe të njëjtën e ka qëlluar me armë, derisa krahun viktimës po ia mbante ish-bashkëshorti i saj, që të mos i shmangej plumbit.

Arma që ishte përdorur në rast ishte gjetur në shtëpinë e të akuzuarit tashmë Granit Plava, në fshatin Cermjan në Gjakovë. Sekuestrimi i armës u bë pas bastisjes, që u krye në shtëpinë e të dyshuarit.

Plava nga Prokuroria ngarkohet me veprat penale “vrasje e rëndë” dhe “posedim i armës pa leje”.

I akuzuari i tretë është Kushtrim Kokalla, djali i tezës së Naim Murselit. Dosja tregon se Kokalla kishte refuzuar të kryente vrasjen, por që më pas kishte gjetur Granit Plavën dhe i kishte prezantuar Naim Murselit.

Edhe Kokalla ngarkohet me veprën penale të vrasjes së rëndë. E i pandehuri i katërt në këtë rast është Tom Dodaj. Ai po ngarkohet për “furnizim me armë” të tre të dyshuarve të parë që planifikuan dhe kryen vrasjen./kallxo

ME TE LEXUARAT