Me tanke dhe në gatishmëri, shikoni si janë rreshtuar forcat serbe në kufi me Kosovën

Kosovë&Rajon

Me tanke dhe në gatishmëri, shikoni si janë rreshtuar forcat

Ushtarë, tanke dhe mjete të rënda luftarake, të grumbulluar të gjithë në një bazë ushtarake në veri të Kosovës. Ky është mesazhi që prej disa ditësh Beogradi u ka dërguar autoriteteve në Prishtinë, por edhe ndërkombëtarëve.

Gjatë vizitës në bazë këtë të mërkurë, ministri serb i mbrojtjes, Milos Vuçeviç, tha që, nëse qoftë edhe një serb vritet në Kosovë, atëherë do të ketë luftë. Në bazën e Rashkës, trupat u rreshtuan para ministrit dhe komandantëve serbë, ndërsa demonstruan edhe gatishmërinë luftarake me tanke.

“Ushtria është e gatshme për të kryer çdo detyrë dhe Serbia i ka përcaktuar politikisht se cilat janë vijat e kuqe që kanë të bëjnë me një situatë ku kërcënohen interesat më vitale kombëtare dhe shtetërore. Fjala është për skenarë ku, Zoti na ruajt, dikush vret serbët, pra fillon likuidimi fizik i popullit tonë nga policia e Kosovës, dëbimi i serbëve, masakra, gjithçka që na ka ndodhur 20 apo 30 vjet më parë. Ato situata do të ishin vërtet jo vetëm alarm i kuq, por edhe momenti kur Serbia nisë të veprojë”, tha ministri serb.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Disa kilometra më në jug, forcat e KFOR-it vendosën tela me gjemba rreth godinave të komunave në veri të Kosovës, në Zveçan dhe Zubin Potok, ndërkohë që pritet mbërritja e 700 trupave shtesë për të shtuar sigurinë në rajon, që do ta çojë në 4700 numrin e ushtarëve të pranishëm në Kosovë.
Por kjo nuk i ka penguar qytetarët serbë në komunat veriore të Kosovës të vijojnë protesta kundër kryetarëve shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit. Megjithatë situata në Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok rezulton të jetë me e qetë. Qytetarët e  mbledhur para godinave në Zveçan thonë se do të protestojnë çdo ditë derisa kërkesat t’u plotësohen.

Ata ngritën një flamur të madh serb, dhe theksuan qëllimin për të manifestuar në mënyrë paqësore nëse nuk do të provokohen.
Serbët kërkojnë tërheqjen e policisë se Kosovës dhe kryetarëve shqiptarë nga objektet e komunës.

Ish- kryetari i komunës së Zveçanit Dragisha Milloviç, tha se në mesin e protestuesve serbë “nuk ka struktura të organizuara, banda të organizuara kriminale, apo pjesëtarë te të ashtuquajturit grupi Wagner, siç pretendon Prishtina”. Edhe në Leposaviç, ku raportohet të jenë grumbulluar një numër i konsiderueshëm protestuesish, situata vlerësohet e qetë.

ME TE LEXUARAT