Kurti nxjerr fotot: Serbia lëvizi trupat ushtarake rreth 50 metra afër vijës kufitare me Kosovën
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të shtunën se Serbia ka provokuar sërish, “duke lëvizur trupat e saj rreth 50 metra afër vijës kufitare me Kosovën”, më saktësisht afër Komunës së Kamenicës.
Duke shpërndarë disa fotografi në Facebook, Kurti ka thënë se trupat ushtarake serbe janë larguar pasi kanë vërejtur se autoritetet e Kosovës i kanë incizuar veprimet e tyre.
“Qeveria e Republikës së Kosovës ka bërë investime të paprecedenta në ngritjen dhe përmirësimin e kapaciteteve të strukturave të inteligjencës, sigurisë dhe mbrojtjes, të cilat janë të gatshme për të parandaluar çdo kërcënim ndaj integritetit territorial dhe sovranitetit të shtetit tonë”.
Merr lajme ekskluzive në Whatsapp
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.
Kurti ka thënë se Serbia po vazhdon të nxisë tensione nëpërmjet veprimeve hibride, me qëllim të destabilizimit të rajonit, “megjithëse hapësira për këto manovra po i ngushtohet dita-ditës”.
Ky postim i Kurtit vjen pak javë pas shënimit të përvjetorit të parë të sulmit në Banjskë të Zveçanit.
Në shtator të vitit të kaluar, një grup i armatosur serb, e ka sulmuar Policinë e Kosovës, duke lënë të vrarë rreshterin, Afrim Bunjaku.
Në këmbim e sipër të zjarrit, më pas, janë vrarë edhe tre sulmues serbë.
Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq.
Autoritetet e Kosovës kanë ngritur aktakuzë ndaj tij dhe dhjetëra personave tjerë, që besohet se janë të lirë në Serbi. Tre prej tyre janë të arrestuar në Kosovë./rel