Kosova vendos rritjen e pensioneve me 20 për qind
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka bërë të ditur se nga ky muaj do të rriten pensionet për 20 për qind. Ndërkohë nga janari i vitit që vjen pensionet do të rriten po me kaq përqindje edhe për kategoritë e përcaktuara me Ligjin për kategoritë e luftës.
Kreu qeveritar në një konferencë për media ka treguar se cilat pensione do të rriten.
“Nga ky muaj, pra nga muaji tetor do të rriten për 20 për qind Pensioni Bazik i Moshës, Pensioni Kontributpagues i Plotë dhe Parcial, Pensioni i Aftësisë së Kufizuar për Fëmijë dhe të Rritur, Pensioni për Personat e Verbër, Pensioni për Personat Papraplegjik e Tetraplegjik, Pensioni Familjarë, Pensioni Invalidor i Punës dhe Pensioni i Parakohshëm për punëtorët e Trepçës”.
Merr lajme ekskluzive në Whatsapp
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.
Kryeministri ka treguar se rritje pensionesh do të ketë edhe për kategoritë e luftës, por nga muaji janar sepse ai tha se duhet ndryshohet tabela që është pjesë e ligjit si shtojcë.
“Nga muaji janar 2025 do të rriten për 20 për qind pensionet e përcaktuara me Ligjin për Kategoritë e Luftës, përkatësisht familjet e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të UÇK-së, viktimave të dhunës seksuale të luftës, viktimave civile dhe familjarëve të tyre, kjo për arsyen se për ndryshimin e këtyre pensioneve duhet të ndryshohet edhe tabela që është pjesë e ligjit si shtojcë”.
Por, kryeministri ka treguar se te këto kategori për familjet e dëshmorëve të UÇK-së dhe të të zhdukurve të UÇK-së që kanë më shumë se një dëshmor ose të zhdukur do të ndryshohet edhe formula e pensionit, duke e rritur atë për 50 për qind të pensionit bazë për çdo dëshmorë apo të zhdukur tjetër që ka familja e jo siç shpjegoi të rritet me nga 20 për qind apo 10 për qind si ka qenë deri tani.
“E njëjta formulë do të përdoret edhe për familjet e viktimave dhe të zhdukurve civil ku për çdo viktimë apo të zhdukur tjetër që ka familja, pensioni do të rritet për 50 për qind të pensionit bazë”, bëri të ditur në konferencë kryeministri Kurti.
Ndërkohë, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, tha se ky ndryshim prekë një numër prej 304,016 përfitues që do të ndikohen nga kjo rritje, derisa impakti i tërësishëm buxhetor për tërë vitin fiskal parashihet të jetë në shumën prej 100 milionë euro shtesë.