Kosova një hap më afër anëtarësimit në KiE, vjen reagimi i parë nga Serbia: Ditë e turpshme
Me 131 vota për, 29 kundër dhe 11 abstenime, Asambleja Parlamentare e mbështeti anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës gjatë një seance plenare të martën në Strasburg.
Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiç tha se 16 prilli është “ditë e turpshme në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës”, pasi shumica e deputetëve të saj e mbështetën anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë. Me 131 vota për, 29 kundër dhe 11 abstenime, Asambleja Parlamentare e mbështeti anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës gjatë një seance plenare të martën në Strasburg.
Radiotelevizioni i Serbisë (RTS) e citoi Daçiçin të ketë thënë se Serbia do ta vazhdojë luftën e saj “me të gjitha forcat” në mënyrë që vendimi të mos miratohet në Komitetin e Ministrave më 16 maj.
Merr lajme ekskluzive në Whatsapp
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.
“Ne do ta shohim vlerën e fjalës që bashkësia ndërkombëtare ia dha presidentit Aleksandar Vuçiq, se Kosova nuk do të pranohej në Këshillin e Evropës derisa ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Ndryshe do të jetë gënjeshtër përsëri”, - tha Daçiç.
Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij, por Prishtina nuk e ka themeluar atë.
Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshillin e Evropës në maj të vitit 2022 dhe bëri një hap përpara drejt anëtarësimit kur më 27 mars, Komisioni për Politikë dhe Demokraci i kësaj organizate e miratoi raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku thuhet se Kosova i plotësoi kushtet për t'u bërë anëtare e plotë e kësaj organizate ndërkombëtare.