Greva pezullohet deri në këtë muaj, zbulohet data kur fillon mësimi në Kosovë

Kosovë&Rajon

Greva pezullohet deri në këtë muaj, zbulohet data kur fillon

Greva në sektorin publik të Kosovës është pezulluar, bënë të ditur përfaqësuesit e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës. Pezullimi i grevës mundëson që mësimi të nisë më 3 tetor.

Kreu i Këshillit grevist, Rrahman Jasharaj, tha në një konferencë për media më 1 tetor se greva nuk është mbyllur, por është pezulluar deri në janar të vitit 2023.

Ai porositi Qeverinë që ta shfrytëzojë këtë kohë për dialog me sindikalistët dhe mos ta marrë "si fitore, sepse nuk ka fituar askush".

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

"Nga Qeveria kërkojmë që të takohemi në dialog të sinqertë për të realizuar kërkesat legjitime të anëtarësisë.

Uroj që Qeveria dhe Parlamenti ta mbajë fjalën për Ligjin e pagave, për ndryshimin e Ligjit të skemave pensionale, e sidomos për kriterin diskriminues për 15 vjet kontributdhënës para vitit 1990.

Uroj që të punohet bashkërisht Ligji për sigurime shëndetësore, uroj që tri palët në këshillin ekonomik-social ta nënshkruajnë Marrëveshjen Kolektive, diçka që është bazament për të drejtat e sindikalistëve në Kosovë", tha Jasharaj.

Ndërkaq, kreu i BSPK-së, Atdhe Hykolli, tha se greva nuk ishte akt individual ose një grupi individësh, por tha se ishte mjet i veprimit sindikal, duke shtuar se greva e tyre ishte e ligjshme.

Greva në arsim dhe në administratën publike në nivelin lokal dhe qendror, nisi më 25 gusht.

Deri te pezullimi i grevës u tha se erdhi pas votimit të anëtarësive të sindikalistëve. Në sindikatën e arsimit, 54.88 për qind e anëtarësisë ka votuar për pezullimin e grevës deri në janar.

Për shkak të grevës, për gati pesë javë, mbi 300.000 nxënës mbetën jashtë bankave shkollore.

Sindikalistët kërkuan 100 euro për punëtorë për çdo muaj deri në hyrjen në fuqi të ligjit për paga.

Por, Qeveria publikoi një pako për ndihmë për shkak të rritjes së inflacionit dhe në të u parapa 50 euro për të gjithë punëtorët e sektorit publik.

Qeveria së fundmi ka hartuar Projektligjin për paga dhe i njëjti është në procedura të konsultimeve publike.

Ai më pas duhet të miratohet në Qeveri dhe Kuvend, e më pas të publikohet në Gazetën Zyrtare. Tetë muaj pas publikimit në Gazetën Zyrtare, ky legjislacion pritet të hyjë në fuqi./ REL

 

ME TE LEXUARAT