DETAJET/ Zhduken nga arkat e Kishës Katolike 3 milionë euro/ Dy priftërinjtë i morën dhe i investuan në lokalet e natës
Kisha Katolike Greke është përfshirë në një skandal, ku dy priftërinj kanë marrë 3 milionë euro nga arkat e saj. Një hetim prokurorial për përvetësim dhe pastrim parash kundër dy figurave të larta në hierarkinë e Kishës Katolike të Greqisë dhe pesë pronarëve të klubeve të natës në zonën e gjerë të Peloponezit u hap pas një konstatimi të Autoritetit Kundër Pastrimit të Parave, sipas medias greke.
Çështja u zbulua pas një kontrolli të rastësishëm ku u konstatua se shuma të mëdha parash, që arrinin afërsisht 3 milionë euro, u zhdukën nga arkat e Kishës Katolike dhe përfunduan si… investime në lokalet e natës.
Kreu i Autoritetit, Charalambos Vourliotis, tashmë ka proceduar me ngrirjen e llogarive bankare dhe pasurive të pesë pronarëve të klubeve të natës.
Mësohet se historia nis tetë vite më parë, kur u zbuluan shuma të mëdha parash që dilnin nga llogari të caktuara të saj që operonin nga dy priftërinjtë dhe përfundonin në llogaritë e pronarëve të disa klubeve të natës dhe shfaqeshin si investime në ato biznese.
Merr lajme ekskluzive në Whatsapp
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.
Mobilizimi i Autoritetit u ngrit pas “këmbanës” që ra në banka për lëvizjet e shumave të mëdha.
Hetimi disa mujor u krye në fshehtësi të rreptë.
Autoriteti dyshohet se konstatoi se shuma prej 3 milionë eurosh ishte përvetësuar nga fondet e Kishës Katolike.
Hetimet zbuluan destinacionin e parave, ku shuma e fundit e dyshimtë u zbulua pak ditë më parë dhe përfshinte 50 mijë euro.
Me urdhër të zotit Vourliotis, llogaritë bankare dhe pasuritë e pesë biznesmenëve të dyshuar si përfitues të shumave të mëdha janë bllokuar.
Tashmë, konkluzioni është në dorën e prokurorit që do të hetojë mundësinë e kryerjes së krimeve të përvetësimit për dy priftërinjtë dhe pastrimit të parave për pesë biznesmenët.
Të përfshirët pritet të thirren për shpjegime në mënyrë që prokurori të vendosë nëse do t’i ndjekë penalisht