“Dialog po, nënshtrim jo”, kreu i Gjykatës së Lartë Sokol Sadushi: Për pagat vendos Kushtetuesja

Aktualitet

Sokol-Sadushi-1024x569-1.jpg

Dialogu mes gjyqësorit dhe ekzekutivit nuk përkthehet në nënshtrim. Ky ishte thelbi i mesazhit të kreut të gjykatës së lartë, Sokol Sadushi për ftesën e kryeministrit Edi Rama të hënën, 28 shtator për çështjen e pagave të magjistratëve.

“Për sa kohë ligji dhe pretendimet kushtetuese të ngritura ndaj tij janë në shqyrtim përpara Gjykatës Kushtetuese, themeli juridik i kësaj mosmarrëveshjeje nuk mund të negociohet në një tryezë tjetër. Nuk mund të negociohet kuptimi i Kushtetutës, fuqia detyruese e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe as të paraprihet ajo që mund të vendoset prej saj. Kjo nuk do të thotë se duhet të mbyllim derën e dialogut. Ai është mënyra institucionale për të mbrojtur qëndrimin me argumente, për të dëgjuar mendimin ndryshe dhe për të kërkuar hapësirën e bashkëpunimit që Kushtetuta lejon”, u shpreh Sadushi.

E megjithatë, kufiri i dialogut është kur cënohet liria e çdonjërit nga pushtetet. “Pavarësia mes tyre nuk provohet kur të gjithë janë dakord, por kur mes tyre lindin mosmarrëveshjet”- tha Sadushi.

“Për mosmarrëveshjen rreth ligjit për pagat e magjistratëve, është Gjykata Kushtetuese që do të vendosë përfundimisht. Kushtetuta nuk negociohet. As gjykimi kushtetues nuk mund të zëvendësohet nga një tryezë dialogu. Vendimi që do të merret duhet të respektohet dhe të zbatohet”, tha Sadushi.

Këto deklarata kryetari I gjykates se larte Sadushi i bëri në mbledhjen e përgjithshme të gjyqtarëve që do të zgjedhin qeverinë e tyre. Tre anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor nga radhët e gjykatës votohen për 5 vitet e ardhshme, ndërsa dy të tjerë do të zgjidhen nga radhët e shoqërisë civile nga Kuvendi. Në total këshilli i lartë gjyqësor ka 11 anëtarë.

ME TE LEXUARAT