Zgjerohet harta e përdoruesve të drogërave në Evropë, autoritetet japin alarmin për substancat sintetike

Bota

Zgjerohet harta e përdoruesve të drogërave në Evropë,

Rreziqe të reja shëndetësore po avancojnë me shpejtësi, paralelisht me tregun kompleks të drogës. Kështu ka paralajmëruar të martën Agjencia e BE-së për Drogën.

Në raportin vjetor, të bazuar në të dhënat e 27 shteteve anëtare plus Norvegjinë dhe Turqinë, vihen në dukje shqetësimet jo vetëm për praninë e substancave në treg, por edhe për rritjen e shumëllojshmërisë së tyre. Vëmendja fokusohet tek drogat e reja sintetike me bazë opiumi.

“Këto droga janë substanca jashtëzakonisht të forta”, ka deklaruar për Euronews Lorraine Nolan, drejtoreshë ekzekutive e Agjencisë së BE-së për Drogën.

Sipas saj, një gram i vetëm nga substancat në fjalë mjafton për të bërë rreth 1 mijë doza vdekjeprurëse.

“Ndaj ka një marzh shumë të ngushtë mes dozës së përdoruesit dhe mbidozës”, ka theksuar Nolan.

Ajo ka dhënë alarmin për praninë masive të këtyre lëndëve në treg dhe për faktin se shpesh herë, përdoruesit nuk e dinë se çfarë substance po marrin.

Rreth 7.600 persona humbën jetën nga mbidozat në BE përgjatë vitit 2024, me kombinimin e opiumit me substanca të tjera që mbetet shkaku kryesor i vdekjeve.

Kanabisi mbetet droga ilegale më e përdorur në Evropë, me rreth 25 milionë të rritur që e kanë konsumuar përgjatë vitit të kaluar.

Për pasojë, rrugët e trafikimit po ndryshojnë, me një volum kanabisi të fuqishëm që po hyn në Evropë nga vende të tjera, përfshirë nga Amerika e Veriut.

Sa i takon kokainës, agjencia vuri në dukje rënien e konfiskimeve, nga 419 tonë në 2023-shin në 330 tonë në 2024-n. Sasia e sekuestrimeve sugjeron se trafikantët mund të jenë duke kaluar në lëvizjen e ngarkesave më të vogla për të shmangur zbulimin.

Por pavarësisht rënies, kokaina mbetet një shqetësim madhor, duke përbërë një të tretën e personave që regjistrohen për trajtim nga droga në Evropë dhe duke kontribuuar në shtimin e rasteve të dëmtimit të shëndetit.

ME TE LEXUARAT