Votimi në Gjermani, nisin sulmet ndaj Merz, kancelar: Një katastrofë, por nuk dorëzohem

Bota

Votimi në Gjermani, nisin sulmet ndaj Merz, kancelar: Një
Friedrich Merz është humbësi i madh i tre zgjedhjeve të fundit rajonale. E megjithatë, Merz nuk priti as rezultatet përfundimtare, nuk priti të kuptonte nëse CDU do të mbetej jashtë parlamentit rajonal të Meklenburg-Pomeranisë Perëndimore.

Rreth orës gjashtë e pak, kur exit poll-et e para ende po mbushnin ekranet televizive, kancelari doli përpara gazetarëve dhe dha një mesazh sa të qartë, aq edhe të dëshpëruar: unë nuk dorëzohem.

Merz nuk mundi ta mohonte se, veçanërisht rezultati në rajonin më verilindor të Gjermanisë, “është një katastrofë”. Por lideri i CDU-së, jo fort i prirur ndaj autokritikës, ia hodhi fajin polarizimit të politikës, forcimit të AfD-së dhe së Majtës (Die Linke), e cila madje fitoi zgjedhjet në Berlin. Dhe u fsheh pas nevojës për të përballuar një situatë të vështirë ekonomike: “Duhet ta bëjmë vendin të aftë për t’u përballur me të ardhmen”, deklaroi ai përpara kamerave, duke shtuar se “duhet të bëjmë reformat”.

Me pak fjalë: “Ajo që duhet të bëjmë tani kërkon një shtyllë kurrizore, qëndrueshmëri dhe durim. Dhe unë do t’i dëshmoj këto si lider i CDU-së dhe, mbi të gjitha, si kancelar i vendit tonë”. Por tashmë beson vetëm ai, brenda dhe jashtë CDU-së. Dhe ka dy fakte që tregojnë se sa i pasigurt mbetet pozicioni i kancelarit pas tre goditjeve të njëpasnjëshme që CDU-ja pësoi në Saksoni-Anhalt, Berlin dhe Meklenburg-Pomeraninë.

Së pari, Merz ushtroi presion mbi partinë duke thirrur dje pasdite drejtuesit e saj për t’i kërkuar mbështetje. Së dyti, nuk priti mëngjesin e ditës pasuese për të komentuar rezultatet, siç ndodh zakonisht: ai ndjeu nevojën që qysh mbrëmë të largonte çdo dyshim për një dorëheqje.

Merz këmbëngul të qëndrojë, si kancelar dhe si lider i partisë. Por presionet ndaj tij mbeten të jashtëzakonshme. Dhe e vërteta është se, për momentin, mungojnë thjesht alternativa të forta dhe të besueshme, si ndaj tij, ashtu edhe ndaj qeverisë me SPD-në.

ME TE LEXUARAT