Trump i ashpër me Izraelin pas sulmit në Bejrut: Mos e rrezikoni marrëveshjen me Iranin

Presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar ndaj sulmit izraelit në Bejrut, duke e cilësuar atë si një veprim që nuk duhej të ndodhte në një moment delikat për përpjekjet diplomatike në Lindjen e Mesme.
Përmes një postimi në Truth Social, Trump paralajmëroi se veprime të tilla mund të dëmtojnë mundësinë për arritjen e një marrëveshjeje me Iranin dhe u bëri thirrje palëve të shmangin përshkallëzimin e konfliktit.
“Sulmi nuk duhej të kishte ndodhur, veçanërisht në një ditë kaq të rëndësishme kur jemi shumë afër një marrëveshjeje paqeje me Iranin”, shkroi ai.
Presidenti amerikan theksoi se nuk duhet të ketë më sulme izraelite në territorin e Libanit, ndërsa kërkoi gjithashtu që Hezbollahu dhe grupet e tjera të ndalojnë sulmet kundër Izraelit.
Sipas Trump, situata aktuale mund të shndërrohet në një mundësi për uljen e tensioneve dhe hapjen e një kapitulli të ri stabiliteti në rajon, nëse palët zgjedhin rrugën e dialogut.