Tragjedia ajrore në detin Karaibe/ Të paktën 12 të vdekur, mes tyre këngëtari i njohur
Një avion i vogël i kompanisë ajrore Lanhsa u rrëzua në Detin Karaibe, vetëm pak minuta pasi u ngrit nga ishulli Roatan në Honduras, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 12 personave, mes tyre edhe një shtetas amerikan.
Sipas autoriteteve, avioni kishte 14 pasagjerë dhe tre anëtarë të ekuipazhit në bord. Pesë persona arritën të shpëtojnë, ndërsa dyshohet se një defekt mekanik shkaktoi rrëzimin tragjik.
Mes viktimave është edhe këngëtari dhe politikani i njohur hondurian, Aurelio Martinez. Pamjet nga vendngjarja tregojnë ekipe shpëtimi duke nxjerrë të mbijetuar nga uji, ndërsa një grua u shpëtua e gjallë, por gjendja e saj mbetet e paqartë.
Një peshkatar që ndodhej pranë vendit të rrëzimit tha për mediat lokale se avioni pothuajse ra mbi të. Autoritetet kanë gjetur shumicën e trupave të pajetë, ndërsa kërkimet vijojnë për të gjetur trupin e fundit të zhdukur.
Në bord ndodheshin gjithashtu një shtetas francez dhe dy të mitur. Departamenti Amerikan i Shtetit ka shprehur ngushëllimet për viktimat dhe familjet e tyre.