Shkëmbimi i pengjeve/ Hamasi liron 3 izraelitë në këmbim të 183 të burgosurve palestinezë
Tre pengje izraelite të mbajtur nga Hamasi në Gaza u liruan këtë të shtunë, si pjesë e një shkëmbimi me Izraelin, i cili në këmbim liroi 183 të burgosur palestinezë.
Yarden Bibas, 34 vjeç, Ofer Kalderon, 53 vjeç, dhe Keith Siegel, 65 vjeç, iu dorëzuan Kryqit të Kuq në kuadër të marrëveshjes së armëpushimit të arritur muajin e kaluar.
Nga ana tjetër, të burgosurit palestinezë u transportuan me autobusë drejt Gazës dhe Bregut Perëndimor, shumica prej tyre të liruar nga burgu i Oferit.
Ky shkëmbim u zhvillua në mënyrë më të rregullt krahasuar me atë të së enjtes, ku turma të shumta kishin rrethuar pengjet, duke ngritur shqetësime për sigurinë e tyre dhe duke vonuar lirimin e të burgosurve palestinezë nga Izraeli.
Megjithatë, edhe këtë herë Hamasi e përdori lirimin e pengjeve për të dërguar mesazhe politike. Forcat e armatosura mbajtën larg turmat, ndërsa pengjet izraelite u rrethuan nga luftëtarë të armatosur me maska. Në sfond, një flamur shfaqte imazhet e liderëve të vrarë të Hamasit.
Zyrtarët e Kryqit të Kuq nënshkruan certifikatat e lirimit për Kalderon dhe Bibas, të cilët më pas u detyruan t’i mbanin ato përpara turmës në Khan Younis.