Përfshihet nga flakët anija me 115 persona në bord, videoja nga Turqia po bën xhiron e rrjetit

Një anije turistike me 115 persona në bord është përfshirë nga flakët në brigjet e Fethiyes, në provincën Mugla të Turqisë.
Zjarri ka shkaktuar panik te pasagjerët, mes tyre edhe fëmijë, të cilët u detyruan të vendosnin jelekët e shpëtimit dhe të hidheshin në det për t’u larguar nga flakët.
Menjëherë pas alarmit, në zonë janë nisur ekipet e Rojës Bregdetare, autoritetet portuale dhe ekipet mjekësore, ndërsa në operacionin e shpëtimit janë përfshirë edhe anije të tjera që ndodheshin pranë.
Pasagjerët janë nxjerrë nga deti dhe, sipas autoriteteve lokale, nuk raportohet për viktima.
Zjarri ka shkaktuar dëme të mëdha në anije, e cila më pas ka nisur të fundosej.
Shkaku i flakëve nuk është përcaktuar ende, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet. Mediat turke raportojnë paraprakisht se zjarri mund të ketë nisur në kuzhinën e anijes.


