Operacioni "Luani që ngrihet" kundër Iranit, Netanyahu: Do të zgjasë disa ditë
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka konfirmuar zyrtarisht se Izraeli ka goditur objektiva bërthamore në Iran dhe paralajmëroi se operacioni ushtarak do të zgjasë për disa dië, deri në “eliminimin e plotë të kërcënimit iranian”.
“Në këto momente, Izraeli ka nisur operacionin ‘Luani që Ngrihet’, një operacion ushtarak i synuar për të zbrapsur kërcënimin iranian ndaj vetë ekzistencës së Izraelit,” deklaroi Netanyahu në një fjalim të transmetuar drejtpërdrejt në televizion.
Ai theksoi se operacioni do të vazhdojë “për aq ditë sa të jetë e nevojshme për të eliminuar këtë kërcënim”.
Sipas Netanyahu-t, Izraeli ka goditur objektivat kyç të programit bërthamor iranian, përfshirë objektin kryesor të pasurimit të uraniumit në Natanz, shkencëtarët bërthamorë iranianë, të cilët ai i akuzoi se po punojnë për prodhimin e bombës atomike dhe programin e raketave balistike të Iranit.
“Kemi goditur në zemër të programit të armatimit bërthamor të Iranit,” tha Netanyahu.
Kryeministri izraelit e cilësoi programin bërthamor iranian si një kërcënim të qartë dhe të menjëhershëm për sigurinë dhe ekzistencën e Izraelit.
“Nëse nuk ndalet, Irani mund të prodhojë një armë bërthamore. Ky është një rrezik i drejtpërdrejtë për mbijetesën tonë,” theksoi ai.
Netanyahu shtoi gjithashtu se përmes këtij operacioni, Izraeli jo vetëm që mbron veten, por edhe fqinjët e tij arabë. “Edhe ata kanë vuajtur nga fushata e kaosit dhe dhunës që Irani ka përhapur në rajon,” u shpreh ai.
Deri më tani, qeveria iraniane nuk ka reaguar zyrtarisht ndaj sulmeve.