Mbyllet afati i katërt i reformave për Ballkanin Perëndimor, vendimi për fondet kalon në fazën e vlerësimit

Bota

Mbyllet afati i katërt i reformave për Ballkanin Perëndimor,

Ka marrë fund afati i katërt për realizimin e reformave në kuadër të Planit të Rritjes për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Shtetet përfituese kishin afat deri më 30 qershor për të përmbushur reformat e parashikuara, ndërsa deri më 15 korrik duhet të dorëzojnë raportet për ecurinë e tyre. Më pas, Komisioni Europian do t’i shqyrtojë këto raporte për të përcaktuar nëse reformat janë zbatuar dhe, mbi këtë vlerësim, do të vendosë për disbursimin e fondeve për secilin vend.

Për Radion Europa e Lirë, zëdhënësi i Komisionit Evropian Guillaume Mercier nënvizoi se fondet nga Plani i Rritjes lëshohen vetëm pasi reformat të jenë zbatuar plotësisht. “Instrumenti për Reforma dhe Rritje bazohet në performancë dhe fondet paguhen vetëm kur reformat zbatohen plotësisht”, deklaroi ai. Sipas tij, deri tani bilanci mbetet inkurajues, pasi 78 për qind e reformave të raportuara në tre ciklet e para kanë shënuar përparim ose janë përmbushur plotësisht, ndërsa 22 për qind vijojnë të mbeten të bllokuara.

Komisioni Evropian kujton gjithashtu se fondet e Planit të Rritjes janë të kufizuara në kohë. Në rast se një shtet nuk arrin të zbatojë reformat e përcaktuara, fondet mund të pezullohen dhe më pas të rishpërndahen te vendet që kanë performancë më të mirë. Rregullat e mekanizmit parashikojnë që përfituesit të kenë një vit në dispozicion për të përmbushur detyrimet, përpara se fondet të ridrejtohen.

Sipas të dhënave të Komisionit Europian, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut janë tre vendet që kanë ecur më tej në zbatimin e agjendave të reformave. Shqipëria ka realizuar 33 hapa reformues dhe ka përfituar mbi 212 milionë euro, ndërsa në total mund të marrë 922 milionë euro.

Mali i Zi ka çuar përpara 32 reforma dhe ka përfituar afro 90 milionë euro. Ndërkohë, Maqedonia e Veriut ka përmbushur 22 reforma dhe ka marrë mbi 142 milionë euro. Kosova, nga ana tjetër, nuk ka përmbushur ende asnjë hap reformues dhe deri më tani ka marrë vetëm fondet e parafinancimit, rreth 61 milionë euro.

Bosnje e Hercegovina vazhdon të mos ketë marrë asnjë pagesë nga Plani i Rritjes, ndërsa vitin e kaluar humbi 108 milionë euro për shkak të vonesave në dorëzimin e Agjendës së Reformave.

Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor është parashikuar me një buxhet prej 6 miliardë eurosh për periudhën 2024-2027. Prej tyre, 2 miliardë euro janë grante dhe 4 miliardë euro kredi me kushte të favorshme.

Serbia – 1.5 miliardë euro;

Bosnje e Hercegovina – 976 milionë euro;

Shqipëria – 922 milionë euro;

Kosova – 882 milionë euro;

Maqedonia e Veriut – 750 milionë euro;

Mali i Zi – 383 milionë euro.

ME TE LEXUARAT