Komisionerja Marta Kos: KE publikon në vjeshtë strategjinë e re për të përshpejtuar zgjerimin

Grupkapitujt e mbetur të negociatave për Republikën e Moldavisë dhe Ukrainën janë gati për t’u hapur dhe do të nisin sapo shtetet anëtare të arrijnë një konsensus brenda Këshillit të Bashkimit Evropian, tha dje komisionerja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos, gjatë fjalimit të saj në Komitetin Ekonomik dhe Social Evropian në Bruksel, sipas “RadioMoldova”.
Sipas komisioneres, këtë vjeshtë Komisioni Evropian do të paraqesë një paketë propozimesh që synojnë përgatitjen e BE-së për një zgjerim të ri.
Kjo paketë do të prezantojë gjithashtu mekanizma të rinj për integrimin gradual të vendeve kandidate.
Në fjalimin e saj, Marta Kos dha një pasqyrë të gjerë të procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian, duke deklaruar se ai po ecën përpara “me një shpejtësi që nuk është parë në 15 vitet e fundit”.
Ajo theksoi se anëtarësimi nuk është më vetëm një politikë zgjerimi, por është kthyer në një projekt strategjik thelbësor për sigurinë dhe të ardhmen e Evropës.
Duke iu referuar Republikës së Moldavisë dhe Ukrainës, komisionerja vuri në dukje se më 14 korrik, gjatë asaj që ajo e quajti “Super e marta”, këto dy vende hapën Kapitullin 6 – “Marrëdhëniet e Jashtme”, vetëm një muaj pasi nisën negociatat për Kapitullin 1 – “Vlerat Themelore”.
“Katër grupkapitujt e mbetur (procesi i anëtarësimit përbëhet nga 33 kapituj të ndarë në gjashtë grupe) janë gati për t’u hapur. Sapo Këshilli të arrijë një konsensus, ne do të vazhdojmë me procesin”, tha Kos, duke sqaruar se ritmi aktual i negociatave varet nga marrëveshja unanime e shteteve anëtare.
Zhvillimet në vendet e tjera kandidate
Një zyrtar i BE-së ka shqyrtuar së fundmi, përparimin e vendeve të ndryshme kandidate që synojnë anëtarësimin.
Veçanërisht, Mali i Zi ka mbyllur këtë javë edhe dy kapituj të tjerë negociatash, duke u pozicionuar si vendi kandidat më i avancuar drejt anëtarësimit.
“Shtetet anëtare kanë nisur hartimin e traktatit të anëtarësimit të Malit të Zi. Ky është një hap i rëndësishëm që nuk e kemi parë që nga viti 2009, kur po përgatiteshim për anëtarësimin e Kroacisë”, tha komisionerja Kos.
Ajo shtoi se, nën presidencën irlandeze të Këshillit të BE-së, negociatat me Podgoricën mund të përfundojnë deri në fund të këtij viti.
Në lidhje me Shqipërinë, komisionerja e BE-së Marta Kos vlerësoi mbylljen e tre kapitujve, duke theksuar se kjo shënon herën e parë, që Shqipëria ka nisur në mënyrë efektive mbylljen e kapitujve në procesin e anëtarësimit.
Për Maqedoninë e Veriut, Kos vlerësoi zbatimin e reformave të Planit të Rritjes, duke e cilësuar vendin si një nga performuesit më të mirë në këtë drejtim.
Megjithatë, ajo paralajmëroi se përparimi i negociatave varet nga miratimi i ndryshimeve kushtetuese të dakordësuara.
“Vendi po ecën shpejt në zbatimin e reformave ekonomike, por duhet të miratojë ndryshimet e nevojshme kushtetuese, për të ruajtur këtë ritëm në negociatat e anëtarësimit”, tha Kos.
Për Serbinë, Kos tha se Komisioni Evropian ka kërkuar prej kohësh hapjen e grupkapitullit 3.
Megjithatë, mungesa e besimit nga disa shtete anëtare ka penguar një vendim unanim.
“Kushtet teknike janë përmbushur, por disa shtete anëtare ende nuk kanë besimin e nevojshëm, për të marrë një vendim pozitiv me unanimitet. Këtu duhet të përqendrohet udhëheqja serbe”, tha Kos.
Komisionerja shprehu gjithashtu shpresë për zhvillime pozitive sa i përket Bosnjë-Hercegovinës, Kosovës, Turqisë dhe Gjeorgjisë.
Zgjerimi i BE-së – përgjigje ndaj sfidave të reja gjeopolitike
Një nga mesazhet kryesore të fjalimit ishte se zgjerimi i Bashkimit Evropian sot përfaqëson një politikë sigurie dhe një përgjigje ndaj sfidave të reja gjeopolitike.
“Zgjerimi sot është shumë më tepër se zgjerim. Ai është pjesë e riformësimit të arkitekturës politike dhe të sigurisë së Evropës. Nuk bëhet fjalë vetëm për vendet kandidate që të afrohen me Bashkimin Evropian, por edhe për mënyrën se si ato do ta bëjnë Unionin më të fortë”, tha komisionerja.
Ajo i kushtoi vëmendje të veçantë Ukrainës, për të cilën tha se do të bëhet një nga shtyllat më të rëndësishme të sigurisë evropiane.
“Ukraina do të jetë një vend që ka mposhtur Rusinë në një luftë ekzistenciale. Ajo do të jetë një nga fuqitë më të mëdha ushtarake në Evropë, me një përvojë që askush tjetër nuk e ka. Integrimi i një vendi të tillë në zemër të Bashkimit Evropian është thjesht në interesin tonë. Bëhet fjalë për ta bërë paqen dhe stabilitetin një realitet të përhershëm. Ukraina është thjesht shumë e rëndësishme për të dështuar”, tha Marta Kos.
Komisionerja këmbënguli gjithashtu mbi përfitimet ekonomike të zgjerimit, duke përmendur Poloninë, Prodhimi i Brendshëm Bruto i së cilës u trefishua pas anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Çdo zgjerim i mëparshëm ka qenë një histori suksesi ekonomik. Interesi i investitorëve për vendet kandidate është tashmë shumë i lartë”, tha ajo.
Komisioni Evropian propozon zgjerimin e konceptit të integrimit gradual
Në pjesën përfundimtare të fjalimit të saj, Marta Kos paraqiti atë që e quajti “një lajm të ri” lidhur me të ardhmen e procesit të zgjerimit.
Ajo njoftoi se këtë vjeshtë, Komisioni Evropian do të propozojë masa për përgatitjen e Unionit për anëtarë të rinj.
“Komisioni do të paraqesë një vlerësim teknik, të ndikimit të zgjerimeve të ardhshme në funksionimin e Unionit dhe në politikat kryesore evropiane. Ne do të analizojmë se çfarë përshtatjesh nevojiten, që institucionet evropiane të funksionojnë në mënyrë efektive në një Union të zgjeruar dhe do të paraqesim idetë tona për traktatin e anëtarësimit të Malit të Zi dhe garancitë, që do të vendosin një precedent për shtetet që do të vijnë më pas”, shpjegoi zyrtarja.
Në të njëjtën kohë, ekzekutivi evropian do të propozojë zgjerimin e konceptit të integrimit gradual, i cili u lejon vendeve kandidate, të përfitojnë nga disa avantazhe të anëtarësimit në BE, edhe para hyrjes së plotë.
“Ne po shqyrtojmë mundësinë e zgjerimit të kësaj qasjeje, përfshirë ofrimin e aksesit në tregun e vetëm para anëtarësimit, në mënyrë që të përshpejtojmë afrimin ekonomik dhe të zvogëlojmë ndikimin në tregun evropian, kur anëtarë të rinj t’i bashkohen Unionit. Kjo është e dobishme për kompanitë, punonjësit dhe shoqërinë në tërësi”, tha Kos.
Sipas komisioneres, një Bashkim Evropian i bashkuar do të thotë mungesë lufte, që është qëllimi kryesor i komunitetit evropian.
Ajo tha gjithashtu se, vendet kandidate do të kontribuojnë në paqen, lirinë dhe prosperitetin e Unionit dhe se kujdesi për kontinentin evropian, është përgjegjësi e të gjitha shteteve, duke bërë thirrje për unitet, paqe, liri dhe prosperitet.


