Izraeli sulmon Rripin e Gazës, shkatërrohen shtëpitë e komandatëve të Hamasit

Bota

Izraeli sulmon Rripin e Gazës, shkatërrohen shtëpitë e

Ushtria izraelite ndërmori një valë sulmesh ajrore mëngjesin e së hënës në Rripin e Gazës ndërsa tha se shkatërroi 15 kilometra tunele të militantëve dhe shtëpitë e pretenduara të nëntë komandantëve të Hamasit.

Banorët e Gazës të zgjuar nga sulmet i përshkruan ato si më të rëndat që nga fillimi i luftës një javë më parë, dhe madje edhe më të fuqishme sesa sulmet e një dite më parë që lanë prapa 42 të vdekur dhe rrafshuan tri ndërtesa.

Nuk pati informacion të menjëhershëm për viktimat nga sulmet e fundit. Një ndërtesë trekatëshe në Gaza u dëmtua rëndë, por banorët thanë se ushtria i paralajmëroi ata 10 minuta para sulmit dhe të gjithë u evakuuan. Ata thanë se shumë prej sulmeve ajrore goditën tokat bujqësore aty pranë.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Lufta shpërtheu të hënën e kaluar, kur Hamasi hodhi raketa me rreze të gjatë veprimi drejt Jerusalemit, pas disa javësh përplasjesh midis protestuesve palestinezë dhe policisë Izraelite.

Që nga ajo kohë, ushtria izraelite ka kryer qindra sulme ajrore që sipas saj synojnë infrastrukturën militante të Hamasit. Militantët palestinezë në Gaza kanë qëlluar me më shumë se 3 mijë e 100 raketa mbi Izraelin.

Të paktën 197 palestinezë janë vrarë në qindra sulme ajrore në Gaza, përfshirë 58 fëmijë dhe 34 gra, ndërsa janë plagosur 1 mijë e 230 veta. Të paktën dhjetë veta janë vrarë në Izrael nga sulmet me raketa nga Gaza, përfshirë një djalë 5-vjeçar.

"Unë nuk kam parë këtë nivel të shkatërrimit gjatë 14 viteve të punës time," tha Samir al-Khatib, një zyrtar i emergjencave në Gaza. "As në luftën e vitit 2014", shtoi ai, duke iu referuar luftës më shkatërruese nga katër luftërat e zhvilluara midis Izraelit dhe Hamasit.

Sulmet e së hënës pasuan komentet e së dielës të kryeministrit Benjamin Netanyahu, se nuk po planifikonte ndonjë përfundim "të menjëhershëm" të sulmeve vdekjeprurëse ajrore në Gaza./VOA

ME TE LEXUARAT