E rëndë/ Shoku i futet në shtëpi, dhe vret me thikë prindërit dhe motrën 5-vjeçare të 20-vjeçarit

Një ngjarje e rëndë ka tronditur periferinë perëndimore të Romës, ku një çift dhe vajza e tyre 8-vjeçare janë gjetur të vrarë me thikë në një apartament në zonën Casalotti.
Djali i tyre 20-vjeçar ka mbijetuar me plagë dhe po merr mjekim në spital, ndërsa një mik i tij është shpallur në kërkim nga policia si i dyshuar kryesor.
Viktimat janë një familje me origjinë nga Bangladeshi, babai Kamal Udiu 39 vjeç, nëna Arzu Udiu 38 vjeç dhe vajza e tyre e vogël. Sipas autoriteteve italiane, ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së premtes në një apartament në Via Montiglio, pasi fqinjët raportuan britma rreth orës 22:00 dhe panë një person që largohej me vrap nga vendngjarja.
Policia italiane ka nisur një operacion të gjerë kërkimi, duke përdorur edhe dronë me kamera infra të kuqe në zonat përreth dhe pyllëzimet pranë Casalotti-t. Hetuesit besojnë se sulmuesi mund të ketë qenë një person i njohur për familjen dhe se viktimat mund ta kenë lejuar të hynte në banesë.
Djali i mbijetuar, i cili po trajtohet në Poliklinikën Gemelli në Romë, është marrë në pyetje nga autoritetet. Sipas hetimeve paraprake, një sherr i papritur brenda banesës ka degjeneruar në sulm fatal, ku prindërit dyshohet se kanë tentuar të mbrojnë vajzën e tyre.
Fqinjët kanë deklaruar se kanë parë një person që u largua me shpejtësi nga ndërtesa, i veshur me një bluzë blu. Hetuesit po analizojnë kamerat e sigurisë në zonë dhe telefonat celularë të familjes për të rindërtuar kontaktet e fundit të viktimave.
Në vendngjarje kanë mbërritur edhe shërbimet e emergjencës, por mjekët kanë konstatuar vdekjen e prindërve dhe vajzës në vend. Zona është izoluar nga policia ndërsa forcat hetimore kanë marrë në pyetje banorë dhe të njohur të familjes.
Autoritetet po hetojnë të gjitha pistat e mundshme, ndërsa motivi i krimit mbetet ende i paqartë. Sipas hetuesve, i dyshuari mund të jetë larguar nga Roma, por kërkimet po vazhdojnë në të gjithë rajonin.


