Greqia hap kufirin me Maqedoninë e Veriut pas 14 muajsh mbylljeje

Bota

Greqia hap kufirin me Maqedoninë e Veriut pas 14 muajsh mbylljeje

Pas një mbylljeje prej 14 muajsh, për shkak të pandemisë së koronavirusit, Greqia hapi të premten kufirin për qytetarët e Maqedonisë së Veriut.

Vendkalimi kufitar Bogorodicë-Evzoni u hap me vendim të Qeverisë greke.

Por, për të kaluar në territorin grek, shtetasit e Maqedonisë së Veriut duhet të paraqesin një vërtetim se janë vaksinuar kundër sëmundjes që e shkakton koronavirusi, COVID-19, se e kanë kaluar sëmundjen ose të kenë test negativ PCR, jo më të vjetër se 72 orë.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Greqia bëri të ditur se i njeh të gjitha vaksinat kundër COVID-19, përfshirë ato kineze dhe ruse, të cilat nuk janë miratuar ende nga Bashkimi Evropian.

Hapja e vendkalimit kufitar përkoi edhe me fillimin e sezonit turistik veror në Greqi.

Vendimi i Qeverisë greke ishte paralajmëruar qysh më herët, ndërsa ka të bëjë edhe me përmirësimin e ndjeshëm të gjendjes epidemiologjike në Maqedoninë e Veriut.

Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut raportoi të premten për 30 raste të reja të të infektuarve me koronavirus, pas testimit të 1,658 mostrave, dhe 16 viktima.

Numri i të shëruarve vazhdon të jetë shumë herë më i lartë se i të infektuarve.

Të premten u regjistruan 359 të shëruar, ndërsa një ditë më parë u raportua për mbi 3,800 të shëruar – shifër kjo rekorde që nga fillimi i pandemisë në pranverë të vitit të kaluar.

Maqedonia e Veriut, deri më tash, ka vaksinuar mbi 150,000 njerëz.

Nga dita e hënë pritet të nisë vaksinimi i të gjithë personave të paraqitur e që janë të moshës mbi 40 vjeç.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, tha se, javën e ardhshme, Komisioni i Sëmundjeve Infektive do të debatojë nëse qytetarët e vaksinuar me dy doza të vaksinës kundër COVID-19 do të lirohen nga mbajtja e detyrueshme e maskës në ambiente të mbyllura dhe të hapura.

ME TE LEXUARAT