Fundoset jahti 8 mln euro në Sardenja, në pronësi të sipërmarrësit italian, kishte 14 persona në bord

ITALI- Një jaht luksoz rreth 30 metra i gjatë dhe me vlerë mbi 8 milionë euro është fundosur në ujërat e Porto Cervos, në Costa Smeralda të Sardenjës. Në momentin e incidentit në bord ndodheshin 14 persona, të gjithë të shpëtuar dhe pa të lënduar.
Jahti, i quajtur “Angiola II”, ishte një model Amer F100 dhe ishte dorëzuar te pronari vetëm katër ditë përpara incidentit. Ai u fundos mbrëmjen e 11 gushtit, në zonën mes ishullit të Cappuçini dhe Capo Ferro, pranë Porto Cervos.
Sipas rindërtimit paraprak, gjithçka nisi nga një defekt në motor, i cili dyshohet se shkaktoi edhe një fillim zjarri në bord. Flakët u vunë nën kontroll, por më pas në trupin e jahtit nisi të hynte ujë, duke bërë që ai të humbiste lundrueshmërinë dhe të fundosej.
Nga 14 personat në bord, 12 u transferuan në një tjetër varkë që ndodhej pranë, ndërsa pronari, një sipërmarrës italian, dhe një mik i tij qëndruan përkohësisht në jaht deri në mbërritjen e ndihmës. Roja Bregdetare ndërhyri në operacionin e shpëtimit dhe më pas personat u shoqëruan drejt Poltu Quatu.
“Angiola II” tashmë ndodhet e shtrirë në fund të detit, në një thellësi prej rreth 7 metrash. Zona po mbahet nën monitorim, ndërsa pronari ka kontaktuar një kompani të specializuar për nxjerrjen e jahtit. Operacioni pritet të kryhet me një ponton me kapacitet rreth 200 tonë.
Ndërkohë, autoritetet italiane kanë nisur verifikimet për të përcaktuar shkaqet e sakta të incidentit dhe për të kuptuar se si një jaht i dorëzuar vetëm pak ditë më parë përfundoi në fund të detit.


