Çfarë do të ndodhë pas luftës në Ukrainë?

Bota

Çfarë do të ndodhë pas luftës në Ukrainë?

E ndërsa Evropën dhe rajonin e Paqësorit i prisnin muaj të tërë luftimesh brutale, në korrikun e vitit 1944 Shtetet e Bashkuara mblodhën në një takim aleatët e tyre në Breton Uds, për të planifikuar rendin e ri global që do të pasonte Luftën e Dytë Botërore.

Aleatët e dinin se cilat institucione do t’i duheshin botës – Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore dhe Kombet e Bashkuara – edhe para se të shihnin në horizont fitoren përfundimtare në atë luftë. SHBA-ja dhe partnerët e saj në NATO, duhet të tregojnë një imagjinatë të ngjashme krijuese edhe tani që po vazhdon lufta në Ukrainë.

Udhëheqësit e Perëndimit mund të mos jenë në gjendje të përshkruajnë mënyrën dhe  kohën kur do të përfundojë kjo luftë e tmerrshme. Por ata i njohin blloqet ndërtuese të së ardhmes: sigurinë, prosperitetin, ligjin, rendin dhe demokracinë. Ndaj ata mund ta nisin që tani procesin e rindërtimit, edhe pse luftimet në terren vazhdojnë ende.

Merr lajme ekskluzive në Viber

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Viber duke klikuar këtu.

Në fund bota do të festojë fitoren përfundimtare të Ukrainës, dhe dëbimin e pushtuesit të fundit rus. Por kjo mund të jetë vite, madje edhe dekada larg. Ne nuk do të kemi së shpejti një traktat paqeje të nënshkruar si dikur në luftanijen “Misuri”. Për një kohë të gjatë, Ukraina ka të ngjarë të jetë një vend pjesërisht i ndarë, me trupa ruse përtej asaj që ka të ngjarë të jetë një vijë ndarëse e frontit në një armëpushim të mundshëm.

Ky ngërç dhe kjo ndarje do të ishte mizore. Por siç po planifikojnë që tani ukrainasit, duhet të merren parasysh shembujt e Koresë së Jugut dhe Gjermanisë Perëndimore, të cilat u bënë demokraci shumë të suksesshme edhe nën hijen e luftërave të papërfunduara dhe kundërshtarëve despotikë.

Durimi strategjik do të jetë një armë, së bashku me sfidën e madhe që ka përpara Ukraina. Perëndimi duhet ta bëjë të qartë se do të refuzojë çdo njohje formale të sovranitetit rus në territorin që ka pushtuar deri më sot, ashtu siç Shtetet e Bashkuara për breza të tërë refuzuan
të njohin kontrollin sovjetik të shteteve baltike.

Në fund, gjërat do të shkojnë në vendin e vet. Por për momentin, qëllimi për Ukrainën dhe aleatët e saj të NATO-s duhet të jetë që të frenojnë ofensivën ruse brenda Ukrainës juglindore, të dëbojnë forcat e Putinit aty ku është e mundur, dhe ta bëjnë këtë luftë shumë të dhimbshme që Rusia të mos mundet ta vazhdojë pafundësisht.

Raportet e fundit të inteligjencës amerikane, sugjerojnë se ky është një qëllim i arritshëm, por mbart rreziqe si për Ukrainën po ashtu edhe për aleatët e saj. Evril Hajnes, drejtoreshë e inteligjencës kombëtare, bëri një përmbledhje të qartë të vlerësimeve aktuale të SHBA-së gjatë dëshmisë që dha në Senat të martën.

Ajo tha se beteja e Ukrainës “po zhvillohet në një luftë shkatërrimtare”. Putin dëshiron ende që ta dominojë Kievin dhe të kontrollojë të gjithë bregdetin ukrainas në Detin e Zi. Por atij i mungon fuqia ushtarake konvencionale për t’i arritur këto synime.

Kjo “mospërputhje” midis ambicieve dhe aftësive të tij mund të prodhojë “një trajektore më të paparashikueshme dhe potencialisht përshkallëzuese”, shtoi më tej ajo.
E gjitha Evropa po lëviz në mënyrë të pashmangshme kundër Putinit, për shkak të marrëzisë së pushtimit të tij. Finlanda aplikoi zyrtarisht të enjten për t’u anëtarësuar në NATO, dhe ka të ngjarë që të pasohet nga Suedia. Ministria e Jashtme ruse kërcënoi me ndërmarrjen e “hapave hakmarrës” kundër këtij zgjerimi të NATO-s, dhe ish-presidenti Dimitri Medvedev paralajmëroi ashpër se shtrëngimi ushtarak mbi Rusinë, mund të përbëjë përfundimisht një “rrezik për t’u shndërruar në një luftë totale bërthamore”.

Kjo është një retorikë e frikshme. “Ne besojmë se Moska vazhdon që ta përdorë retorikën bërthamore për të penguar Shtetet e Bashkuara dhe Perëndimin nga rritja e ndihmës me armë të rënda për Ukrainën”- tha Haines, duke paralajmëruar se Moska mund të rrisë kërcënimin duke organizuar stërvitje bërthamore me raketat balistike ndërkontinentale, avionë bombardues dhe nëndetëse bërthamore.

Britania po i ofron Finlandës dhe Suedisë një pakt mbrojtës derisa të jenë zyrtarisht në NATO, dhe kur e pyeta 

Sekretarin Britanik të Mbrojtjes Ben Uollas të enjten nëse kjo do nënkuptonte një “ombrellë bërthamore”, ai nuk tha jo.

Rindërtimi i Ukrainës duhet të fillojë që tani, edhe pse lufta vazhdon ende. Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski ka publikuar në internet një plan të rindërtimit në vija të përgjithshme të titulluar “United24”. Vendet perëndimore duhet të fillojnë të zotohen që t’i përmbushur kërkesat e këtij plani.

Fatura e mundshme e kësaj lufte do të jetë e madhe. Një zyrtar ukrainas më tha të mërkurën se kostoja eventuale do t’i kalojë 500 miliardë dollarë, sipas vlerësimeve të përgatitura nga Shkolla Ekonomike e Kievit. Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar dhe agjenci të tjera globale, janë duke dhënë aktualisht miliarda dollarë në ndihma humanitare dhe ndihma të llojeve tjera.

Ky proces rindërtimi duhet të përfshijë në fund edhe Rusinë, sado paradoksale që mund të tingëllojë kjo gjë tani. Sigurisht nuk do të ndodhë së shpejti. Aleksandër Gabuev, analist në think-tankun “Carnegie Center” me seli në Moskë, që u largua kohët e fundit nga Rusia, më tha të enjten se një shumicë e gjerë e rusëve e mbështet luftën e Vladimir Putin.

Mjerisht Rusia po ndjek rrugën e Iranit, duke u bërë një komb i përbuzur dhe nën sanksione. Por nuk do të qëndrojë kështu përgjithmonë. “Në fund do të ketë një shkëndijë shprese”- thotë Gabuev. Xhorxh Robertson, ish-Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, ndau me mua komentet që bëri Putin në samitin NATO-Rusi në Romë në vitin 2002.

Duke kujtuar izolimin e gjatë të Rusisë në Luftën e Ftohtë, Putin tha: “Asgjë e mirë nuk erdhi nga ajo përplasje midis nesh dhe pjesës tjetër të botës. Sigurisht që ne nuk fituam asgjë!”. Sa te drejte që kishte! Edhe pse lufta vazhdon në Ukrainë, shpresoj që presidenti Bajden të vazhdojë të përsërisë mesazhin: “Populli rus nuk është armiku ynë”. Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë të ndriçojnë rrugën e rikthimit të Rusisë në normalitet. Dhe kjo do të ndodhë një ditë pasi Rusia të jetë e rraskapitur dhe e traumatizuar./WashingtonPost

ME TE LEXUARAT