Tërmetet në Santorini, radhë në aeroport për të ikur nga ishulli, rriten cmimet e biletave
Organet greke janë vënë në alarm pas aktivitetit intensiv sizmik të ditëve të fundit në zonën detare në ishujt Cyclades, midis Santorinit dhe Amorgos.
Edhe sot ashtu si dy ditët e fundit, janë regjistruar mbi 140 tërmete, 14 prej tyre me magnitudë nga 4 deri në 4.7 shkalla Rihter, me thellësi nga 4 deri në 10 km.
Autoritetet këshilluan banorët e Santorinit, një nga destinacionet kryesore turistike të Greqisë, të shmangin dy porte të vogla, të mos grumbullohen masivisht në hapësirat e brendshme, ndërsa shkollat do të jenë të mbyllura gjatë ditës së hënë.
E njëjta gjë do të vlejë edhe për ishujt Amorgos, Ios dhe Anafi, pasi zona ka të çara sizmike të mëdha dhe nuk përjashtohet mundësia e një tërmeti të fortë.
Pas mbledhjeve të komisioneve të ekspertëve, që kanë këshilluar masat përkatëse, të dielën në mbrëmje kryeministri grek ka zhvilluar një mbledhje të jashtëzakonshme për tërmetet me disa ministra dhe specialistë.
Sipas Ministrit të Mbrojtjes Civile dhe Katastrofave, po analizohen të gjitha të dhënat e aktivitetit sizmik dhe masat që janë marrë deri më tani janë thjesht parandaluese.
Megjithëse sizmologët deklarojnë se lëkundjet janë tektonike dhe nuk lidhen me aktivitetin vullkanik , të tre vullkaneve në këtë zonë, dy prej të cilëve nënujorë, këshillojnë banorët të zbatojnë masat që ata kanë marrë.
Problemi më i madh është fakti se shumë ndërtesa në ishull nuk janë ndërtuar sipas rregulloreve moderne antisizmike ,ndaj dhe njerëzit duhet të shmangin ecjen pranë tyre.
Si masë paraprake në ishullin e Santorinit ka shkuar një ekip i Njësisë Speciale të Reagimit ndaj Fatkeqësive natyrore me një qen shpëtimi, 2 ekipe të Njësisë së Parë të Operacioneve Speciale Pyjore si dhe një ekip i operatorëve të dronëve, të cilët janë vendosur në çadrat e qendrës sportive të ishullit. Bashkia ka njoftuar gjithashtu edhe pikat e grumbullimit në të cilat njerëzit do të vijnë në rast emergjence.
Ndërkaq jeta në ishullin e Santorinit vazhdon me ritme normale. lëvizja e makinave është si gjithmonë e madhe, kafenetë janë plot, ndërsa banorët gjakftohtë thonë se nuk janë të shqetësuar, pasi janë mësuar me lëkundjet sizmike, por janë të kujdesshëm në rast të lëkundjeve më të forta.
Por ka edhe shumë turistë dhe banorë që kanë krijuar radhë para zyrave të linjave ajrore duke kërkuar një biletë për tu larguar, vlera e së cilës tashmë kalon 200 euro.
Në takimin e zhvilluar të autoriteteve për aktivitetin e fundit sizmik në zonën detare midis Santorinit dhe Amorgos, ministri i Mbrojtjes Civile Vassilis Kikilias u shpreh:
“Po shqyrtohen të gjithë elementët e aktivitetit sizmik. Masat që janë marrë deri më tani janë parandaluese. Do të ketë informacione të përditësuara në vazhdimësi. Kërkoj nga bashkëqytetarët tanë të dëgjojnë këshillat e ekspertëve dhe t’i respektojnë në mënyrë që të përballemi me situatën aktuale, ka vigjilencë masa parandaluese dhe organizim.”
Dy tërmete të tjera, me magnitudë 4.7 dhe 4.5 ballë të shkallës Rihter, me një distancë prej pak minutash, u regjistruan mbrëmjen e sotme në zonën e Santorinit në Greqi, ndërsa është ngritur alarmi për një goditje edhe më të fortë. Sipas Institutit Gjeodinamik, tërmeti me magnitudë 4.7 Rihter ka ndodhur në SSE të Arkesinit, Amorgos, në një thellësi prej 14.9 km.
E dyta nga lëkundjet e fundit me magnitudë 4.5 Rihter, raportohet se ndodhi në të njëjtën zonë me një thellësi prej 13 km.
Ndërkohë, autoritetet në Greqi kanë marrë masat dhe kanë paralajmëruar banorët e ishullit të Santorinit të shmangin grumbullimet në ambiente të mbyllura, të mos qëndrojnë në banesa të vjetra dhe të mos tregojnë panik në rast të lëkundjeve sizmike.
Ky mobilizim vjen, pasi në këtë ishull në 48 orët e fundit janë regjistruar mbi 200 lëkundje sizmike, duke shkaktuar panik te qytetarët, autoritetet dhe shkencëtarët.
Epiqendra e lëkundjeve ka qenë kryesisht nga zona e Anhidros, një ishull i pabanuar pranë Santorinit, fakt që ngre shqetësime.
Një nga masat e rëndësishme të rekomanduara nga ekspertët është evakuimi. Bashkia e Santorinit ka vendosur çadra në ambiente të hapura të ishullit për të gjithë qytetarët.