Bota në alarm pas krizës në Iran: Telefonata, sanksione dhe takime sekrete

Bota

Bota në alarm pas krizës në Iran: Telefonata, sanksione dhe

Situata në Iran po merr përmasa dramatike pas më shumë se dy javësh protestash të dhunshme kundër regjimit. Informacionet e fundit nga vendi, pas rihapjes së pjesshme të linjave telefonike, flasin për një bilanc viktimash shumë më të rëndë se sa ishte parashikuar, me burime që flasin për mbi 12 mijë të vrarë dhe disa të tjera që e llogarisin deri në 20 mijë persona.

Diplomacia në veprim

Ministri turk i Punëve të Jashtme, Hakan Fidan, ka zhvilluar të martën një bisedë telefonike me homologun iranian, Abbas Araghchi, për të diskutuar zhvillimet e fundit në vend, njoftoi këtë të martë Reuters.

Ndërkohë, Arabia Saudite, Omani dhe Katari po ushtrojnë presion mbi Shtetet e Bashkuara që të mos ndërhyjnë ushtarakisht në Iran, pasi një goditje e mundshme mund të destabilizonte tregjet e naftës dhe të dëmtonte ekonominë globale, raporton Wall Street Journal.

Izraeli gjithashtu ka rritur nivelin e alarmit të mbrojtjes ajrore në pritje të një përshkallëzimi të mundshëm me Teheranin, ndërsa një mbledhje e kabinetit të sigurisë ka nisur rreth orës 20:30 sipas mediave izraelite.

Nga ana tjetër, Bashkimi Evropian ka thirrur ambasadorin iranian në Bruksel, ndërsa presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, premtoi sanksione të reja kundër Teheranit, pas bilancit “të tmerrshëm” të viktimave nga shtypja e protestave.

Takimi sekret i Shtëpisë së Bardhë

I dërguari i Shtëpisë së Bardhë, Steve Witkoff, zhvilloi këtë fundjavë një takim sekret me Reza Pahlavin, trashëgimtarin e dinastisë Pahlavi në mërgim, për të diskutuar mbi protestat, raporton Axios.

Ky ishte takimi i parë në nivel të lartë mes opozitës iraniane dhe administratës Trump që nga fillimi i protestave. Pahlavi po përpiqet të pozicionohet si një “lider tranzicioni” në rast se regjimi bie. Ekipi i sigurisë kombëtare i Shtëpisë së Bardhë mbajti një mbledhje të hënën për të shqyrtuar opsionet e reagimit, megjithëse presidenti Trump nuk mori pjesë.

Situata e rëndë brenda vendit

Pamjet e shpërndara nga aktivistët tregojnë trupa me plagë të rënda nga plumbat dhe qytetarë që përpiqen të identifikojnë të afërmit e tyre mes trupave të pajetë. Forcat e sigurisë raportohet se bastisin spitalet private, duke kërcënuar stafin mjekësor që të dorëzojnë informacion mbi personat e plagosur. Sekretarja e Jashtme britanike, Yvette Cooper, ka konfirmuar se numri i të vdekurve ka kaluar 2 mijë, por frika është se shifra përfundimtare mund të jetë shumë më e lartë.

Presidenti Donald Trump reagoi me ton të ashpër, duke kërkuar nga “patriotët iranianë” që të mos dorëzohen dhe të marrin nën kontroll institucionet, ndërsa ekipi i tij i sigurisë kombëtare shqyrton opsione që përfshijnë mjete ushtarake dhe operacione klandestine.

Aktivistët e të drejtave të njeriut e kanë krahasuar bllokimin e komunikimeve me një “burgim të vetmuar” për popullin iranian, që regjimi të mund të shtypë protestuesit pa u parë nga bota.

Protestat filluan në fund të dhjetorit për shkak të rritjes së kostos së jetesës dhe u shndërruan shpejt në një revoltë kombëtare që përfshiu të 31 provincat e Iranit, duke kërkuar fundin e pushtetit që vjen pas revolucionit të vitit 1979./klannews

ME TE LEXUARAT