Bashkëpunim me Kanadanë, Donald Trump shpall planin për "Kupolën e Artë"! Ja për çfarë do përdoret!
Kanadaja raportohet se është në negociata me Shtetet e Bashkuara për një mundësi bashkëpunimi në sistemin e ri kundër-raketor “Kupola e Artë”, një iniciativë e shpallur nga Presidenti Donald Trump, me qëllim përballimin e “kërcënimeve ajrore të gjeneratës së ardhshme”.
Zyra e Kryeministrit të Kanadasë, Mark Carney, konfirmoi se bisedimet me autoritetet amerikane janë në vazhdim dhe përfshijnë si iniciativa ekzistuese të sigurisë, ashtu edhe projekte të reja, përfshirë edhe këtë sistem mbrojtës. Lajmi vjen në një moment kur dy vendet po rishikojnë marrëdhëniet tregtare dhe mbrojtëse mes tyre.
Gjatë një deklarate të bërë të martën, Trump njoftoi nisjen e projektit dhe bëri të ditur se investimi fillestar do të jetë 25 miliardë dollarë, ndërsa kostoja totale pritet të arrijë në 175 miliardë deri në fund të mandatit të tij.
“Kanadaja ka shprehur interes për të marrë pjesë. Edhe ata duan mbrojtje dhe ne gjithmonë i ndihmojmë,” deklaroi Trump.
Sistemi i ri mbrojtës, i frymëzuar pjesërisht nga “Iron Dome” izraelit, do të përfshijë sensorë dhe raketa interceptuese në orbitë, me synim që të neutralizojë raketat që mund të lëshohen qoftë nga hapësira, qoftë nga cepi tjetër i botës. Megjithatë, përmasat dhe kompleksiteti i këtij projekti kanë ngjallur skepticizëm mes analistëve ushtarakë.
Sipas analistit të çështjeve të mbrojtjes në The Economist, Shashank Joshi, realizimi i programit do të kërkonte “mijëra satelitë për të identifikuar dhe ndjekur kërcënimet, si dhe armë interceptuese të vendosura në orbitë”.
Ai theksoi se, pavarësisht vendosmërisë së Pentagonit, është e parealizueshme që një projekt i tillë të përfundojë brenda një mandati presidencial, ndërsa kostoja marramendëse mund të përthithë një pjesë të madhe të buxhetit amerikan për mbrojtjen.