Zjarret në Shqipëri/ 7 vatra aktive, situata më problematike në Dibër dhe Tiranë

Ministria e Mbrojtjes ka bërë një përditësim mbi situatën e zjarreve në vend, ku gjatë kësaj të diele janë raportuar 20 vatra zjarri. Sipas të dhënave zyrtare, 7 prej tyre vijojnë të jenë aktive, ndërsa 3 të tjera janë nën monitorim.
Vatrat aktive janë të përqendruara kryesisht në qarqet Tiranë, Dibër, Korçë dhe Durrës, ndërsa Dibra mbetet një prej zonave më problematike për shkak të përhapjes së disa vatrave në terrene të vështira.
Në zonën e Dajtit, në drejtim të Qafë-Priskës, vijon ndërhyrja me 15 zjarrfikës, 9 forca të Administratës së Zonave të Mbrojtura dhe 20 efektivë të Forcave të Armatosura, të mbështetur edhe nga një helikopter.
Në Vajkal janë angazhuar 38 forca të MZSH-së dhe 30 efektivë të FA-së, ndërsa në Sllatinë po operojnë 91 forca. Aktivë mbeten edhe zjarret në Lundër të Matit, ku gjatë ditës është ndërhyrë nga ajri me helikopter, si dhe në Ballenjë të Martaneshit, në një zonë të mbrojtur.
Në Qafën e Lugut, në Vithkuq, një vatër në sipërfaqe pyjore do të monitorohet gjatë natës për shkak të terrenit të vështirë dhe pamundësisë për ndërhyrje në orët e vona.
Ndërkohë, në Zall të Fushë-Krujës, zjarri i riaktivizuar është vënë nën kontroll pas ndërhyrjes së forcave zjarrfikëse, strukturave bashkiake dhe 30 efektivëve të FA-së. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Vatrat në malin e Dardhës dhe malin e Qukësit vijojnë të jenë nën monitorim, ndërsa gjatë ditës janë shuar plotësisht zjarret në Strikçan dhe Nivicë.


