Zgjedhja e Drejtorit të Përgjithshëm të RTSH, Ina Zhupa: Çmenduri e Këshillit Drejtues, skualifikon kandidatët që plotësojnë kriteret
Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka reaguar ashpër ndaj procesit të zgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm të RTSH-së, duke e cilësuar atë si një “çmenduri” dhe shkelje të hapur të ligjit. Përmes një postimi në Facebook, Zhupa akuzoi Këshillin Drejtues se ka shpikur rregulla jashtëligjore për të skualifikuar 8 kandidatë që, sipas saj, plotësojnë të gjitha kriteret ligjore për të qenë pjesë e garës.
Sipas Zhupës, vendimi për të skualifikuar kandidatët nuk bazohet në asnjë dispozitë ligjore. “Nuk ekziston në ligj votim për t’u futur apo jo në votim! Thjesht garë dhe votim për të zgjedhur drejtorin mes atyre që plotësojnë kriteret ligjore,” shkruan ajo.
Kandidatët e skualifikuar nga Këshilli Drejtues janë:
Laureta Roshi
Kliton Rama
Floriana Paskali
Eni Vasili
Harilla Koçi
Enrik Mehmeti
Flamur Buçpapaj
Ermal Hoxha
Zhupa argumenton se të gjithë këta kandidatë duhet të kishin mbetur në garë sipas ligjit, përkrah dy kandidatëve që kaluan fazën e votimit, Aurora Polo dhe Jetmir Shpuza.
Deputetja theksoi se skualifikimi mund të bëhet vetëm në rastet kur kandidatët nuk plotësojnë kriteret ligjore, ndërsa këtu, sipas saj, kriteret janë plotësuar. “Çdo anëtar i Këshillit ka të drejtën të votojë një kandidat sipas platformës dhe aftësive, por nuk ka të drejtë të skualifikojë nga gara ata që plotësojnë kriteret ligjore. Thjesht mos e voto për drejtor!”
Zhupa veçoi rastin e Eni Vasilit, një figurë e njohur publike, duke pyetur se çfarë kriteri ligjor ajo nuk plotëson. Ajo shtoi se e njëjta logjikë vlen për të gjithë kandidatët e skualifikuar.