Vijon operacioni për shuarjen e zjarrit masiv në ish-Metalurgjik, 12 mjete zjarrfikëse, 2 fadroma në vendgjarje

Aktualitet

Vijon operacioni për shuarjen e zjarrit masiv në ish-Metalurgjik, 12

Vijon operacioni për shuarjen e zjarrit që ka përfshirë pasditen e sotme (16 qershor) një kompani që prodhon letra dhe produkte higjienike në zonën e ish-Metalurgjikut në Elbasan, ndërsa autoritetet kanë angazhuar forca të shumta për të vënë situatën nën kontroll.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit kanë mbërritur në vendngjarje, ndërsa flakët, për shkak të materialeve të djegshme janë përhapur me shpejtësi dhe kanë krijuar një vatër me përmasa të konsiderueshme.

Aktualisht në terren janë angazhuar 12 mjete zjarrfikëse, 2 fadroma dhe 40 punonjës, përfshirë edhe efektivë të ardhur nga bashkitë fqinje, të cilët po punojnë pa ndërprerje për të kufizuar përhapjen e zjarrit dhe për të neutralizuar plotësisht vatrën.

Në vendngjarje ndodhen edhe strukturat e Policisë së Shtetit, të cilat kanë marrë masa për sigurimin e perimetrit dhe koordinimin e veprimeve me ekipet e emergjencës, ndërsa Bashkia Elbasan po ndjek nga afër situatën.

Ndërkohë, e gjithë zona e ish-Metalurgjikut është mbuluar nga shtëllunga të dendura tymi, ndërsa era e rëndë e shkaktuar nga djegia e materialeve ka krijuar shqetësim të madh për banorët dhe subjektet që ndodhen në afërsi.

Ndotja e ajrit është e dukshme në një sipërfaqe të gjerë, ndërsa autoritetet po monitorojnë zhvillimin e situatës deri në shuarjen e plotë të flakëve.

Deri në këto momente nuk ka informacione zyrtare për persona të lënduar, ndërsa shkaqet e rënies së zjarrit mbeten ende objekt i hetimeve. Pas përfundimit të operacionit pritet të kryhet edhe vlerësimi i dëmeve materiale dhe ekspertiza për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

ME TE LEXUARAT