“Vdes për p… dhe lekë”, i kërkonte favore s*ksuale klientes dhe e "shiti" tek ish-burri, e pëson avokati

Avokati Pëllumb Isufi që i kërkoi favore seksuale klientes së tij është vënë nën hetim pas publikimit të skandalit në emisionin investigativ në Top Channel, Fiks Fare.
Sipas policisë, seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare referoi materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për 52-vjeçarin banues në Fier,
“Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare referoi materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin P. I., 52 vjeç, banues në Fier, me detyrë avokat, pasi më datë 25.04.2024, është shfaqur në një video të transmetuar në emisionin investigativ “Fiks Fare”, duke i kërkuar favore seksuale një shtetaseje”, sipas njoftimit të policisë.
Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së enjtes avokatin i cili i kërkonte favore seksuale klientes së tij.
Madje, ai bashkëpunon edhe me ish-burrin e saj, me qëllim që të fshehë pasuritë dhe llogaritë bankare nga përpjesëtimi i pasurisë dhe detyrimi ushqimor. Në redaksinë e emisionit investigativ u ankua një 42 vjeçare, e cila është e divorcuar dhe prej disa vitesh jeton në Londër, Angli. “Unë dyshoj që avokati që më përfaqëson mua, Pëllumb Isufaj, bashkëpunon me ish burrin. Unë kam bërë gjyq divorci dhe ish bashkëshorti s’ka dhënë detyrimin ushqimor për fëmijët, s’kemi ndarë pasurinë. Për të gjitha këto çështjet mora avokat”, thotë denoncuesja.
Sipas saj, avokati Isufaj është nga Fieri dhe ia kanë rekomanduar për shkak se ky person ka punuar edhe në Zyrën e Përmbarimit. “Fillova të dyshoj për të kur ishte kapur një shumë në bankë dhe më kanë sorollatur që nga muaji tetor deri në dhjetor 2023 me mendimin që mua t’më mbaronte afati. E kam telefonuar shumë herë, më thoshte e ke 0 lekë. Unë e kisha pagur, 500 mijë lekë plus 200 paund. Madje donte lekët e drekave dhe darkave. Dhe përveç këtyre, donte edhe favore seksuale. Që t’më mbronte në gjykatë. Kështu mendova dhe kështu doli”, pohon denoncuesja.


