Vapë ekstreme në Evropë, në Gjermani policia freskon qytetarët me automjete që hedhin ujë

Një nga valët më të ashpra të të nxehtit të regjistruara ndonjëherë ka përfshirë Evropën, duke çuar temperaturat deri në 40°C në disa zona dhe duke sjellë pasoja të rënda për shëndetin publik, furnizimin me energji dhe infrastrukturën.
Në Francë, sipas agjencisë kombëtare të shëndetit publik, rreth 1,000 persona kanë humbur jetën si pasojë e temperaturave të larta. Pjesa më e madhe e viktimave janë të moshuar, ndërsa autoritetet theksojnë se bilanci mund të rritet, pasi spitalet dhe qendrat e kujdesit vijojnë përditësimin e të dhënave.
Temperaturat përvëluese kanë sjellë vështirësi të mëdha në disa shtete evropiane, mes tyre Gjermania, Franca, Austria dhe Polonia. Në Berlin, policia nxori në rrugë automjete me topa uji për të freskuar njerëzit, ndërsa qytetarët janë këshilluar të shmangin qëndrimin në diell dhe të pinë sa më shumë ujë.
Ekspertët e klimës e konsiderojnë këtë si një nga episodet më të forta të vapës që ka goditur ndonjëherë kontinentin, duke vënë në dukje se ndryshimet klimatike po i bëjnë ngjarje të tilla më të shpeshta dhe më të rrezikshme. Sipas tyre, fenomene që dikur shfaqeshin rrallë, tani po shndërrohen pothuajse në një dukuri vjetore.
Ndikimi i kësaj situate është ndjerë edhe te energjia dhe transporti. Temperaturat e larta kanë detyruar pezullimin ose kufizimin e disa linjave hekurudhore për shkak të dëmtimeve në infrastrukturë, ndërsa rrjetet elektrike po përballen me ngarkesë të madhe nga rritja e kërkesës për ftohje.
Në Hungari, një central bërthamor ka reduktuar prodhimin, pasi ujërat e lumit Danub që përdoren për ftohje janë mbinxehur. Në Itali, ndërkohë, niveli i ulët i lumit Po ka lejuar depërtimin e ujit të detit në brendësi të tokës, duke vënë në rrezik bujqësinë.
Autoritetet kanë paralajmëruar se gjatë ditëve të ardhshme disa rajone mund të goditen nga stuhi të forta, ndërsa vala e të nxehtit pritet të zhvendoset gradualisht drejt Evropës Qendrore dhe Ballkanit.


