U ekzekutua nga shoku me të cilin u rrit/ Nëna e Joanit: U largua shumë herët

Ornela Zuko ka ndarë një mesazh prekës pas vrasjes së djalit të saj, Joan Zuko, në Korçë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale dhe një fotografie familjare, ajo ka kujtuar të birin si një “shpirt të bukur”, ndërsa ka falënderuar të gjithë ata që i kanë qëndruar pranë familjes në ditët e dhimbjes.
Nëna e të riut shkruan se humbja e Joanit ka lënë një boshllëk që nuk mund të mbushet, ndërsa kujton mirësinë, buzëqeshjen dhe dashurinë e tij.
Në postimin e saj, Ornela Zuko falënderon familjarët, miqtë, të afërmit dhe të gjithë ata që i kanë dërguar mesazhe dhe i kanë qëndruar pranë familjes.
“Joani ynë u largua padrejtësisht dhe shumë herët, duke lënë pas një boshllëk që asgjë nuk mund ta mbushë.”
Ajo shprehet se përqafimet, fjalët e ngushëllimit dhe gjestet e mbështetjes i kanë dhënë familjes forcë në ditët pas humbjes.
“Buzëqeshja, mirësia, dashuria dhe shpirti i tij i bukur do të jetojnë përgjithmonë brenda nesh”, shkruan ajo.
Joan Zuko humbi jetën pasditen e së shtunës në Korçë, pasi u qëllua me armë zjarri. Për ngjarjen u arrestua Kristjan Sterjo, shoku i tij i fëmijërisë, i cili ndodhet në arrest me burg.
Sipas dëshmisë së dhënë për grupin hetimor, Sterjo ka treguar se prej kohësh kishte një konflikt me Zukon. Hetimet po shqyrtojnë edhe dyshimet se përplasja mes tyre lidhej me një konflikt për një vajzë.


