Tentoi të trafikonte 11 kg heroinë drejt Shqipërisë, në pranga 39-vjeçari nga Kosova
Një 39-vjeçar nga Kosova është arrestuar në doganën e Morinës, pasi po transportonte 11 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar heroinë në automjetin e tij tip “Volkswagen”.
Strukturat e DVP Kukës, në bashkëpunim me shërbimet doganore të PKK Morinë, me shërbimet e Policisë Kufitare të Morinës dhe të Kosovës, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, për një rast të tentativës për të trafikuar lëndë narkotike, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Koordinimi”.
Gjatë operacionit, në hyrje të Shqipërisë, u kap në flagrancë dhe u arrestua shtetasi kosovar A. K., 39 vjeç, banues në Pejë.
Merr lajme ekskluzive në Whatsapp
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.
Gjatë kontrollit në automjetin tip “Volkswagen” që drejtonte ky shtetas, u gjetën 11 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar heroinë e ndarë në pako, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin e 39-vjeçarit.
Vijojnë hetimet e përbashkëta për dokumentimin e kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë që mund të jenë implikuar në këtë rast.