Tensione para Parlamentit, qëllohet sërish në drejtim të deputetëve! Shoqërohen në polici 5 persona

Sot në orën 10:00 është zhvilluar organizimi i radhës nga protestuesit kundër kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së drejtuar prej tij. Qytetarët janë mbledhur para Parlamentit, aty ku do mbahet edhe seanca e radhës plenare njëkohësisht. Mësohet se janë shënuar edhe ditën e sotme incidente duke qëlluar më vezë. Ndërkohë, janë shoqëruar 5 persona. Më herët një qytetar u pa i gjakosur në pjesën e hundës dhe u shoqërua nga efektivët e policisë.
Masat e sigurisë rreth Parlamentit janë shtuar që para nisjes së tubimit të qytetarëve. Përveç gardhit metalik dhe rrethimit të zonës, janë pozicionuar një autoblindë e forcave të sigurisë si dhe një autobot uji, i cili përdoret zakonisht për shpërndarjen e protestuesve në raste të përshkallëzimit të situatës. Të martën gjithashtu, protestuesit zhvilluan një protestë para Parlamentit ku u regjistruan disa incidente. Situata u tensionua ku pati përplasje fizike dhe hedhje të mjeteve piroteknike.
Punonjësit e policisë arrestuan disa persona për shkak të këtyre incidenteve. Gjithashtu protestuesit hodhën akuza dhe bënë thirrje kundër deputetëve. Ata hodhën edhe vezë në drejtim të mjeteve të tyre.