"Cdo gjë e stisur", vrasja e Antonio Karafilit nga partnerja dhe i dashuri i saj, nëna Kejsi Spahillarit: Nuk ka lidhje me ngjarjen
Shtate vite pas krimit, u zbulua se Antonio Karafili u vra nga partnerja dhe i dashuri i saj në Voskopojë.
Ndërkohë nëna e Kejsit, Ana Spahillari i hedh poshtë këto akuza duke thënë se çdo gjë është e stisur.
"Asnjë gjë nuk është e vërtetë, çdo gjë është sajesë dhe stisur. Ka qenë ndryshe historia. Jam e shokuar. Unë nuk e njoh personin fare në fjalë, e kam dëgjuar nga historia në fjalë. Pa pasur një gjë konkrete të shpiket kjo histori.
Si ka mundësi në kaq vite, policia nuk është në gjendje të zbulojë një krim kaq, dhe të bazohet në sajesa. Do të gjendet të dhëna biologjike në çarçaf se ka qenë Kejsi ishte ajo që e gjeti, bashkë me të ëmën e kanë prekur çarçafin.
Nuk kishte arsye që Kejsi ta bënte këtë gjë. Ka nisur një luftë si me mullinjtë e erës, çdo gjë shpifet dhe besohet.
Të bëhesh vrasës pa pasur asnjë provë. Kejsi nuk ka lidhje fare, ishin në Korçë. Kishin pasur një grindje, kishin shkuar në Voskopojë, ai nuk kishte dashur të zbriste, e kishte lënë aty.
Kishte marrë të ëmën dhe të vëllain, duke i thënë se nuk do të zbresë, kur vajtën e kanë gjetur.
Ata nuk thanë se ishte i shtrirë ashtu si ata pretendojnë. Vetë e ëma tha se e ngritëm peshë që ngritëm çarçafin, jo e gjetëm në tokë. Pas një muaji e gjysmë filluan edhe stisën këtë gjë”, thotë ajo.
Si u vra Antonio Karafili nga ish e dashura dhe partneri i saj! I riu u gjet i varur, Kejsi Spahillari krijoi familje në Kanada
Shtatë vite pasi Antonio Karafili u gjet i pajetë në fshatin Voskopojë, një ngjarje e dyshuar si vetëvrasje, prokuroria ka zbuluar se ngjarja ishte kriminale ku të implikuar janë e dashura dhe partneri i saj me të cilin kishte një lidhje paralele.
18-vjeçari Antonio Karafili u gjet i varur në një pemë në pyllin e Voskopojës në 14 qershor 2018. Sikurse u raportua, Kejsi Spahillari, në atë kohë vetëm 17 vjeçe, ishte e fundit që pa të riun para se të ndërronte jetë.
Në dëshminë para hetuesve e reja, ajo u shpreh atëherë se me Antonion atë ditë ishte takuar rreth orës 17:00 për të sqaruar një sherr që i dashuri i saj kishte me xhaxhin dhe kushëririn e saj. Po ashtu, pretendoi se Antonio kishte bërë skena xhelozie duke e akuzuar atë se kishte një lidhje paralele. E reja shtoi se pas debatit, rreth orës 20:00 ishin ndarë nga njëri-tjetri, ndërsa më vonë mësoi për ngjarjen e rëndë, kur dhe njoftoi prindërit e viktimës.
E ëma e Antonio Karafilit nuk u bind nga versioni i vetëvrasjes dhe vazhdimisht ka kërkuar drejtësi, duke pretenduar se djali i saj ishte vrarë. Një ndër detajet që ngjalli dyshime ishte fakti se adoleshenti ishte varur në një degë pishe 1.48 metër nga toka, ndërkohë që ishte rreth 1.8 metër i gjatë.
17-vjeçarja menjëherë kishte njoftuar prindërit e Antonios dhe së bashku shkuan ne vendin ku i riu ishte varur. E ëma e të ndjerit, Mimoza Karafili, tregoi me detaje se si gjeti djalin të varur në një degë pishe. Vazhdimisht, ajo kërkoi rihetim dhe bërjen e një ekspertize të re.
Pas rihetimeve, Prokuroria e Korçës mblodhi prova, që implikonin në ngjarje të dashurën e Antonios, Kejsi Spahillarin dhe një djalë tjetër, Rexhep Vathin.
Nga indiciet dhe provat biologjike rezulton se Rexhep Vathi dhe Kejsi Spahillari kanë mbytur me çarçaf Antonio Karafilin dhe më pas e kanë varur në pemë, duke inskenuar vetëvrasjen e të riut. Motivi i krimit dyshohet të jetë lidhja paralele që Kejsi Spahillari kishte me viktimën dhe Rexhep Vathin. Pas krimit, Spahillari emigroi në Kanada, ndërsa në gusht të 2024 Rexhep Vathi vrau veten.
Kështu, me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata e Korçës caktoi sot masën e sigurisë arrest me burg në mungesë për akuzën e vrasjes me dashje, në bashkëpunim për Kejsi Spahillarin. Pas kësaj, pritet që Prokuroria e Korçës të procedojë me urdhër arresti ndërkombëtar për të renë, e cila prej disa vitesh jeton në Kanada, aty ku ka krijuar familje./tch