Shqipëri–Luksemburg në “Air Albania”, Policia publikon planin e masave dhe rrugët që do të bllokohen

Policia e Shtetit ka publikuar planin e masave për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë ndeshjes miqësore mes Shqipërisë dhe Luksemburgut, e cila do të luhet mbrëmjen e së shtunës në stadiumin “Air Albania”. Për mbarëvajtjen e aktivitetit sportiv, autoritetet kanë njoftuar bllokimin e disa akseve rrugore në kryeqytet, si dhe kontrolle të shtuara për tifozët para hyrjes në stadium.
Sipas Policisë, kufizimet në qarkullimin e mjeteve do të nisin nga ora 17:00 dhe do të zgjasin deri në përfundim të ndeshjes, ndërsa hyrja e tifozëve në stadium do të fillojë në orën 18:00.
POLICIA E SHTETIT
Plan masash për garantimin e rendit dhe sigurisë para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes miqësore të futbollit ndërmjet ekipeve kombëtare të Shqipërisë dhe Luksemburgut, e cila do të zhvillohet më 6 qershor 2026, në orën 20:00, në stadiumin “Air Albania”.
Për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, duke filluar nga ora 17:00 deri në përfundim të ndeshjes, Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake të Tiranës, do të aplikojë kufizime të përkohshme të qarkullimit të mjeteve në disa akse rrugore në afërsi të stadiumit.
Rrugët që do të jenë të bllokuara nga ora 17:00 deri në përfundim të ndeshjes janë:
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga hoteli “Rogner” në drejtim të sheshit “Nënë Tereza”;
Rruga “Papa Gjon Pali II”, te kryqëzimi i RTSH-së;
Rruga “Dervish Hima”, pranë Ambasadës së SHBA-së;
Rruga “Asim Zeneli”, pranë Ambasadës së SHBA-së;
Rruga “Themistokli Gërmenji”, në fillim të rrugës;
Rruga “Ismail Qemali”, te kryqëzimi i RTSH-së;
Rruga “Lekë Dukagjini”, pranë ish-Gardës së Republikës, korridor hyrës për parkimin e caktuar vetëm për mjetet e autorizuara nga FSHF-ja;
Rruga “Abdyl Frashëri”, pranë kryqëzimit të Librit Universitar;
Sheshi “Willson”, ku lëvizja do të devijohet në drejtim të rrugës “Sami Frashëri”, pak para përfundimit të ndeshjes.
Rruga e Elbasanit, Unaza dhe bulevardi “Bajram Curri” do të jenë të lira për qarkullimin e mjeteve.
Në zbatim të planit të masave, punonjësit e Policisë së Shtetit do të ushtrojnë kontrolle të imtësishme ndaj tifozëve para hyrjes në stadium, me qëllim parandalimin e futjes së banderolave me përmbajtje raciste, fishekzjarrëve, flakadanëve, lëndëve piroteknike, monedhave metalike, çadrave, çakmakëve, karikuesve të telefonave celularë, mjeteve dhe produkteve kozmetike, si dhe sendeve të tjera të forta që mund të rrezikojnë jetën dhe shëndetin e pjesëmarrësve.
Hyrja në stadium do të fillojë në orën 18:00.
Për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë këtij aktiviteti sportiv, Policia e Shtetit ka angazhuar një numër të konsiderueshëm punonjësish policie.


