Shpërndanin drogë në Elbasan, gjykata lë në burg 10 të arrestuarit

Aktualitet

Shpërndanin drogë në Elbasan, gjykata lë në burg 10

Gjykata e Elbasan ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për grupin e shpërndarësve të lëndëve narkotike, të ndaluar gjatë një operacioni të zhvilluar në fundjavë nga Policia e Elbasanit me mbështetjen e FNSH.

Operacioni u zhvillua nën drejtimin e Prokurorisë së Elbasan dhe u shtri paralelisht në Përrenjas, Librazhd dhe Elbasan, ku u vunë në pranga 10 persona, ndërsa 7 të tjerë u shpallën në kërkim.

Gjatë aksionit, policia sekuestroi 8 kilogramë kanabis sativa, 100 gram kokainë, si dhe shuma parash që dyshohet se janë përfituar nga aktiviteti i paligjshëm.

Sipas hetuesve, hetimet për këtë grup kishin nisur rreth 10 muaj më parë, ku janë përdorur agjentë të infiltruar dhe janë siguruar prova përmes pamjeve filmike.

Kontrollet e policisë përfshinë dhjetëra banesa, ndërsa operacioni u zhvillua në vijim të aksioneve të mëparshme të koduara Operacioni Rrjeti dhe Operacioni Tempulli.

Operacioni vijon për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe identifikimin e të tjerëve të përfshirë në aktivitetin kriminal.

 

ME TE LEXUARAT