Shkon në mbi 1 mijë numri i pelegrinëve të vdekur gjatë haxhit në Arabinë Saudite
Numri i të vdekurve në pelegrinazhin e haxhit rritet çdo ditë. Të paktën 1 mijë persona kanë vdekur deri ditën e sotme duke nënvizuar natyrën rraskapitëse të pelegrinazhit që u shpalos sërish në temperatura përvëluese këtë vit.
Një valë brutale e të nxehtit ka bërë që temperaturat të arrijnë 50 gradë Celsius në tubimin më të madh në botë të myslimanëve në Arabinë Saudite. Pamjet tmerruese tregojnë trupat që mbulohen dhe lihen në rrugë, pasi disa prej pelegrinëve ishin viktimë e temperaturave të larta, ndërsa shumë të tjerë pësuan goditje të forta nga nxehtësia dhe u desh të futeshin urgjentisht në vende më të ftohta e të izoluara.
Vdekjet e reja të raportuara sot përfshijnë 58 njerëz nga Egjipti, sipas një diplomati arab i cili dha një përmbledhje që tregon se nga 658 gjithsej të vdekur nga ai vend, 630 ishin të paregjistruar. Një Imam britanik i përshkroi skenat si ‘rrëqethëse’ dhe tha se ishte e pamundur për pelegrinët të ecnin nëpër rrugë dhe të mos shihnin njerëz që vuanin nga vapa.