SHBA dhe BE: Dakord me Zvërnecin dhe Sazanin sipas rregullave?

Aktualitet

SHBA dhe BE: Dakord me Zvërnecin dhe Sazanin sipas rregullave?

Dje, në një takim të Ministrisë së Ekonomisë me Dhomën Amerikane të Tregtisë në Shqipëri, e Ngarkuara me Punë e Ambasadës së SHBA-ve tek ne Nancy VanHorn u shpreh për investimet strategjike tek ne “Mirëpritni investimet që forcojnë rritjen ekonomike, duke siguruar që infrastruktura kritike dhe sektorët strategjikë të mbeten të sigurt…Shqipëria mund të tërheqë më shumë investime amerikane dhe ndërkombëtare vetëm nëse garanton transparencë, siguri juridike dhe rregulla të barabarta për të gjithë aktorët në treg”.

Po dje, në një konferencë për shtyp, Komisionerja Evropiane për Zgjerim Marta Kos, deklaroi se Shqipëria ka dhënë garanci se për projektin e Zvërnecit do të kryhet një vlerësim i plotë i ndikimit në mjedis. Lidhur me protestat që vijojnë prej më shumë se dy javësh, ajo u shpreh se është e lumtur që në Shqipëri e drejta e manifestimeve respektohet.

A mund fjalët e VanHorn dhe Kos të interpretohen si mbështetje jo e drejtpërdrejtë?

Vërtet, çfarë duhet të nxjerrim si qytetarë nga këto deklarime?

Së pari, edhe pse fjalët e zonjës VanHorn nuk përmendin sa Zvërnecin dhe as Sazanin, as edhe ndonjë projekt specifik investimi, ajo na fton të mirëpresim projektet që sjellin zhvillim ekonomik, ruajnë sigurinë e infrastrukturës kritike dhe të sektorëve strategjikë, respektojnë shtetin e së drejtës, garantojnë transparencën, sigurinë juridike për investitorët, si dhe konkurrencën e ndershme dhe trajtimin e barabartë të aktorëve ekonomikë. Kontesti është i qartë: nëse projektet në Zvërnec dhe Sazan i respektojnë këto kritere, atëhere mirëpritini ato!

Së dyti, Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Evropian dje u shpreh se si BE kanë marrë garanci nga Ministri për Mjedisin i Shqipërisë, se për projektin e Zvërnecit do të kryhet një vlerësim i plotë i ndikimit në mjedis. Në fund, Komisionerja përcolli një mesazh tjetër të rëndësishëm. “Për ne ka më pak rëndësi se nga vijnë investimet dhe më shumë rëndësi ka nëse realizohen në përputhje me legjislacionin e Bashkimit Evropian”. 

Kjo do të thotë se Bashkimi Evropian nuk ka asgje me origjinën e investimeve nga Katari, për sa kohë ato respektojnë standardet e këkuara nga BE-ja. Edhe në këtë rast, mbështetja e Bashkimit Evropian për projektet në Zvërnec dhe Sazan është indirekte. Do të jetë e plotë dhe e drejtpërdrejtë, nese kët projekte me ndikim në mjedis do të përmbushin standarde të caktuara, si vlerësime të plota dhe të pavarura të ndikimit në mjedis, konsultime publike reale dhe gjithëpërfshirëse, transparencë në vendimmarrje, respektim të legjislacionit kombëtar dhe përafrim me acquis të BE-së, si dhe marrjen në konsideratë të shqetësimeve të komuniteteve lokale dhe organizatave mjedisore.

Nëse Bashkimi Evropian do të kishte konsideruar se projektet në Zvërnec dhe Sazan do të ishin, në parim, të papranueshëm ose në kundërshtim flagrant me standardet evropiane, atëhere zonja Marta Kos do të kishte përdorur një gjuhë më kritike.

Pse Komisionerja e BE-së është e lumtur me protestat?

Kur Komisionerja Marta Kos deklaron se është e lumtur që në Shqipëri respektohet e drejta e manifestimeve, ajo nuk po gjykon nëse protestuesit kanë të drejtë apo jo në kundërshtimet e tyre.

Ajo riafirmon një parim themelor të Bashkimit Evropian: qytetarët kanë të drejtë të protestojnë në mënyrë paqësore. Institucionet e Shqipërisë duhet ta garantojnë këtë të drejtë dhe debatet mbi projektet e rëndësishme publike duhet të zhvillohen në një klimë demokratike dhe pa represion.

Me fjalë të tjera, 16 ditë protesta intensive në zemër të Shqipërisë, pa një zyrtar shteti apo polic që të ndërhyjë tek protestuesit, i japin vendit tonë pashaportën evropiane për trajtimin e protestave paqësore, sado të zgjatura e intensive qofshin ato. 

Çfarë do të bëjnë protestuesit me qëndrimin e SHBA-ve dhe BE-së?

Deklaratat e bëra më 15 qershor 2026 nga përfaqësues të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian nuk përbëjnë një mbështetje të drejtpërdrejtë për këto projekte, por gjithashtu nuk përfaqësojnë as kundërshtimin që një pjesë e protestuesve mund të ketë shpresuar.

Nga njëra anë, e Ngarkuara me Punë e Ambasadës së SHBA-ve, Nancy VanHorn, theksoi rëndësinë e investimeve që nxisin rritjen ekonomike, duke insistuar njëkohësisht në transparencë, siguri juridike dhe rregulla të barabarta. Nga ana tjetër, Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, u fokusua te nevoja për një vlerësim të plotë të ndikimit në mjedis dhe te respektimi i së drejtës për të protestuar.

Këto deklarata kanë një domethënie të qartë: partnerët ndërkombëtarë nuk po pozicionohen kundër projekteve në mënyrë kategorike dhe nuk po kërkojnë ndalimin e tyre. Ata po kërkojnë që proceset të jenë transparente, ligjore dhe në përputhje me standardet demokratike e mjedisore.

Për organizatorët dhe pjesëmarrësit e protestave, kjo mund të jetë një arsye për të reflektuar mbi strategjinë e ndjekur deri tani.

Nëse një pjesë e tyre ka shpresuar se presioni ndërkombëtar do të çonte në një qëndrim të hapur kundër qeverisë shqiptare ose kundër vetë projekteve, deklaratat e fundit sugjerojnë se SHBA-të dhe BE-ja po zgjedhin një qasje më institucionale: vlerësimin e procedurave dhe jo marrjen e anës në debatin politik të brendshëm.

Kjo nuk do të thotë se shqetësimet e protestuesve janë shpërfillur. Përkundrazi, fakti që BE-ja përmend rëndësinë e vlerësimit mjedisor dhe të drejtën e protestës tregon se zëri i tyre është pjesë e debatit demokratik.

Kryepyetja për protestë sot mbase është: a do ta kuptojnë protesuetuesit që kryqëzata moderne “Shqipëria nuk është për shitje” nuk ka kuptim aty ku duam të integrohemi? Apo do të vijojnë të bllokojnë autostradën Tiranë-Durrës edhe sot?

ME TE LEXUARAT