Qiratë “grinë” nga lekët shqiptarët, mbajnë peshën kryesore të inflacionit

Aktualitet

Rritja e qirave po shndërrohet në një nga problemet kryesore të çmimeve në ekonominë shqiptare. Analiza e fundit e Bankës së Shqipërisë evidenton peshën që ka marrë tashmë strehimi në formimin e inflacionit.

Sipas Raportit Tremujor të Politikës Monetare 2026/III, inflacioni i qirave arriti në 7.8% në qershor, niveli më i lartë historik i regjistruar për këtë tregues. Në muajt prill-maj ai ishte mesatarisht 6.9%, pas 7.5% në tremujorin e parë, por u përshpejtua sërish fort në qershor.

Rëndësia e këtij zhvillimi qëndron te ndikimi që qiratë kanë tashmë në gjithë strukturën e inflacionit. Banka e Shqipërisë konstaton se “strehim-qira” është kategoria me kontributin më të lartë në rritjen e çmimeve, ndërsa ushqimet dhe qiratë së bashku formuan rreth 65% të inflacionit total gjatë tremujorit të dytë.

Kjo do të thotë se një pjesë e madhe e inflacionit prej 3% që regjistroi vendi në tremujorin e dytë nuk po vjen në mënyrë të barabartë nga e gjithë shporta e konsumit, por është përqendruar te dy zëra që prekin drejtpërdrejt buxhetet familjare: ushqimi dhe strehimi.

Madje, pesha e qirave bëhet edhe më e dukshme në treguesit e inflacionit të brendshëm. Vetëm qiratë kontribuuan me rreth 1.4 pikë përqindjeje në inflacionin bazë dhe rreth 2 pikë përqindjeje në inflacionin bazë neto e të brendshëm.

Banka e Shqipërisë arrin në një konstatim veçanërisht domethënës: nëse përjashtohet efekti i qirave, inflacioni i brendshëm mbetet në përputhje me objektivin e saj prej 3%. Kjo e vendos tregun e qirave në qendër të presioneve të brendshme mbi çmimet.

Presionet nuk kufizohen vetëm te strehimi. Çmimet janë rritur edhe për shërbimet e transportit, sigurimet në transport, paketat turistike, shërbimet postare, kujdesin mjekësor dhe personal. Ndërkohë, inflacioni në restorante dhe akomodim u rrit në 3.1%, nga 2.4% një tremujor më parë.

Raporti tregon kështu një ndryshim të rëndësishëm në strukturën e inflacionit: krahas goditjeve të jashtme nga karburantet dhe ushqimet, qiratë janë kthyer në burimin kryesor të presioneve të brendshme mbi çmimet.

Banka e Shqipërisë pret që inflacioni të qëndrojë përkohësisht mbi objektivin 3%, duke renditur pikërisht nivelet ende të larta të qirave mes faktorëve që do të vazhdojnë ta mbajnë atë nën presion në afatin e shkurtër.

Në këtë mënyrë, problemi i shtrenjtimit të banesave me qira nuk është më vetëm një çështje e tregut të pasurive të paluajtshme. Sipas analizës së Bankës së Shqipërisë, ai është kthyer në një faktor me peshë makroekonomike, që po ndikon drejtpërdrejt nivelin e përgjithshëm të çmimeve në vend

ME TE LEXUARAT