Qeveria merr vendimin: Ndalohet dhënia e lejeve të ndërtimit për vendosjen e rrethimeve dhe trarëve

Aktualitet

Qeveria merr vendimin: Ndalohet dhënia e lejeve të ndërtimit

Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave, u morën një sërë ndryshimesh, mes të cilave edhe ndryshime në ligjet që lidhen me lejet e ndërtimit.

Qeveria ka vendosur sot ndalimin e dhënies së lejeve të ndërtimit nga autoritetet përkatëse për të kryer çdo lloj punimi apo për të vendosur rrethime apo trarë.

“Neni 7 Pas pikës 4, të nenit 14, shtohen pikat 5 dhe 6, me këtë përmbajtje:

“5. Ndalohet dhënia e lejeve të ndërtimit nga autoritetet e zhvillimit për pasuritë private, të cilat kanë qenë pjesë e kufirit të zhvillimit dhe të destinuara për hapësira publike, si sheshe, parqe etj.

 6. Ndalohet dhënia e lejeve të ndërtimit dhe e deklaratave paraprake për kryerje punimesh, si dhe kryerja e çdo lloj punimi për vendosjen e rrethimeve, trarëve ose çdo mjeti kufizues të hyrjes në ato prona private apo pjesë të sipërfaqes së tyre, të cilat janë të ngarkuara me servitut publik, në kuptim të nenit 34, të ligjit nr.107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar. Pavarësisht, nëse nuk është regjistruar servituti në regjistrin e pasurive të paluajtshme, të njëjtat leje dhe punime nuk lejohen as në ato prona private apo pjesë të sipërfaqes së tyre në zonat urbane, të cilat plotësojnë kushtet ligjore për të qenë të ngarkuara me servitut publik, të tilla.

Si prona që përbëjnë rrugën e daljes nga objektet drejt hapësirave publike, rrugët e kalimit ndërmjet objekteve apo nga objektet drejt rrugëve dhe shesheve publike etj.””, është një prej vendimeve të Këshillit të Ministrave.

Vendimi u mor ditën e sotme në mbledhjen e Këshillit të Ministrave që u drejtua nga zv/Kryeministrja Belinda Balluku, në mungesë të Kryeministrit Edi Rama. Kujtojmë se gjatë ditëve të fundit, në të gjithë vendin nisi një aksion për lirimin e hapësirave publike që ishin zaptuar nga ndërtime pa leje, kryesisht struktura metalike dhe karrige të lokaleve.

ME TE LEXUARAT