Qëlloi me grusht Berishën, Gerti Shehu fiton “lirinë”, Prokuroria “rrëzon” alibitë se “atentati” ndaj “non gratës” ishte politik
Prokuroria e Tiranës e shpalli “jo të qëndrueshëm mendërisht” 31-vjeçarin Gerti Shehu, agresorin që goditi më grusht liderin e opozitës Sali Berisha në protestën e 6 dhjetorit 2022, ditë kur u mbajt dhe Samiti BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë.
Pas afro gjysmë viti, organi i akuzës së kryeqytetit kërkon që Shehu të mos gjykohet nga drejtësia pasi nuk është në gjendje të aftë mendore.
Raporti mjeko-ligjor dhe kërkesa e Prokurorisë së Tiranës i është dërguar Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm. Në bazë të këtyre informacioneve, prokuroria kërkon gjithashtu që të riut Shehu t’i rrëzohet akuza “Goditje për shkak të detyrës” ndaj liderit të opozitës dhe të dërgohet për trajtim në spital psikiatrik.
Merr lajme ekskluzive në Whatsapp
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.
Në këtë mënyrë, prokurori i çështjes nuk merr për bazë deklarimet dhe akuzat e ish-kryeministrit se Gerti Shehu është paguar nga strukturat shtetërore dhe kryeministri Rama për ta dhunuar, madje se jeton në një lagje me drejtorin e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Ardi Veliu.
Sipas Berishs, Shehu nuk rezulton i sëmurë psikik, pasi ka rinovuar patentën dhe ka marrë kredi para se ta dhunonte. Pretendimet e liderit “de facto” të PD u rrëzuan që në 6 dhjetor 2022 nga e ëma e Gerti Shehut dhe mjeku psikiatër që e ka trajtuar.
Rezultati i ekspertizës psikike të Shehut, agresori i Berishës personazh në “TikTok”
Prokuroria e Tiranës, duke u bazuar në ekspertizën psikike të 31-vjeçarit Shehu, e konsideroi se vuante nga “Çrregulli psikotik i papërcaktuar”.
I riu nuk ishte një person i panjohur për publikun shqiptar. Ai realizonte video në aplikacionin “TikTok” duke shpërndarë mesazhe të pakuptimta dhe çoroditëse. Në 6 dhjetor 2022, teksa Berisha po udhëhiqte protestën, Gerti Shehu iu afrua pa probleme te zona afër Urës së Madhe të Lanës dhe e goditi me grusht afër syrit duke i shkaktuar hematomë.
Ai u kap dhe dhunua nga truprojat e Berishës. Ai u përgjigj se goditjen me grusht të Berishës ishte një akt i detyrueshëm. Pas këtij momenti, Berisha hodhi akuza të rënda ndaj Shehu, Ramës dhe Veliut se e kanë paguar për ta dhunuar atë për shkak të konflikteve politike mazhorancë-opozitë në Shqipëri.
Berisha: Shehun e pagoi Rama, mori kredi dhe jeton në një lagje me Ardi Veliun
Në 9 dhjetor 2022, 3 ditë pasi u godit me grusht nga Shehu, Berisha e quajti mjeran agresorin dhe e konsideroi kamikaz pa eksploziv të porositur e paguar nga Edi Rama. Ai këmbënguli se Shehu nuk vuan nga probleme psikike, duke shtuar se 31-vjeçari ka marrë kredi dhe ka rinovuar patentën përpara 6 dhjetorit.
Berisha tentoi ta komprometonte pozitën e të riut duke thënë se ai është udhëzuar nga ish-Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, pasi banojnë në një lagje së bashku. “Unë e kam falur kamikazin pa eksploziv të Edi Ramës, Gerti Shehun. Por unë akuzoj direkt Edi Ramën si porositës të këtij skenari.
Përpjekjen e menjëhershme për të shfajësuar kriminelin dhe përhapja e Ramës e variantit të të sëmurit dëshmon se Gerti Shehu në vend të një hetimi është në mbrojtje totale të Edi Ramës që ka porositur krimin e tij. E akuzoj Edi Ramën si porositës sepse për pacientin e Ramës nuk ekziston asnjë dokument që e vërteton se është i sëmurë i papërgjegjshëm.
Ekziston dokument që e shpall të përgjegjshëm dhe e dënon për goditjen e një personi tjetër. I sëmuri dhe klienti e gjitoni deri para pak muajsh i Ardi Veliut është aq i sëmurë sa deri pak muajsh ka rinovuar patentën, akt që nuk i lëshohet të sëmurëve. Klienti dhe gjitoni i Ardi Veliut ka marrë dhe kredi në banka”, shprehej në fund të vitit të kaluar Berisha.
E ëma e Gerti Shehut: Im bir kurohet prej 5 vitesh, 7-10 ditë para ngjarjes mori ilaçet
E ëma e Gerti Shehut, Ermira Kaçaçi, përgënjeshtroi akuzat nga Berisha se i biri është përdorur politikisht nga strukturat politike dhe shtetërore të komanduara nga Rama dhe PS.
Ditën e ngjarjes, ajo u shpreh për mediat se i biri kurohet prej 5 vitesh për probleme të shëndetit mendor dhe nuk ka lidhje fare me aktivitetet partiake. “Nuk është përdorur djali im. Nuk ka qenë mirë, por nuk është shfrytëzuar nga asnjë. Nuk ka pasur asnjë simpati politike. Ai ka pasur problemet e veta, as për të votuar nuk shkon. Në protesta nuk ka marrë pjesë.
Më vjen keq që shfrytëzojnë fatkeqësitë e tjetrit. Nuk kam takuar akoma djalin, më kanë thënë që është mirë dhe është nën kujdestarinë mjekëve. Nuk ka shfaqur shenja dhune ditët e fundit. Ai kurohet, pi ilaçet por e shikoja të mbyllur. Është vizituar para 1 jave, 10 ditësh ai i jepte ilaçet. Unë djalin kam 5 vite që e shoqëroj për mjekim. Ka qenë me keq dhe tani është duke u përmirësuar”, deklaronte në 6 dhjetor 2022 e ëma e agresorit që dhunoi ish-kryeministrin.
Mjeku i Gerti Shehut: Dokumenti i publikuar nga unë është i vërtetë
Vetë mjeku, Sadik Lala që ka kuruar të riun Gerti Shehu publikoi në profilin e tij në 7 dhjetor vërtetimin se pacienti i tij vuan nga probleme psikologjike dhe kurohej prej tij që në vitin 2018.
Ai iu kundërpërgjigj ish-kryeministrit Berisha se nuk e ka falsifikuar dokumentin në fjalë, që e konsideron të kërkuar nga familjarët e Shehut për llogari të policisë së Tiranës pas arrestimit në 6 dhjetor.
Lala shtoi se nuk e ka publikuar diagnizën e 31-vjeçarit për arsye të respektimit të privatësisë së pacientit të tij dhe familjes. “Dokumenti mjekësor (është një vërtetim i kërkuar nga familjarët për ta paraqitur në polici). Ky vërtetim është një dokument autentik i lëshuar nga unë, i cili ka numër regjistri, datë, firmë, vulë time personale dhe vulën e klinikës.
Arsyeja përse në këtë dokument nuk është përcaktuar diagnoza, është sepse kam detyrimin ligjor të sanksionuar në ligji për të drejtat e pacientit, për të mos bërë publike të dhëna konfidenciale të pacientit”, bëri me dije Lala.
Lala: Shehu nuk i zbatonte si duhej mjekimet, për 2-3 muaj s’ka ardhur për vizitë
Ditën e ngjarjes, mjeku psikiatër deklaroi në një intervistë për një nga mediat në vend, se Gerti Shehu kurohej prej kohësh në klinikën e tij dhe nuk zbatonte me rigorozitet rregullat e mjekimit dhe shfaqte sjellje agresive.
Ai shtoi se Shehu nuk ishte paraqitur në klinikën e tij prej 2-3 muajsh. “Po raporti mjekësor është autentik, është lëshuar nga unë. Gert Shehu është trajtuar nga unë. Nuk ka qenë i rregullt në marrjen e mjekimeve dhe bënte sjellje agresive. Tek unë ka gati 2-3 muaj që s’ka ardhur për vizitë” , deklaronte mjeku i njohur.