Protesta kundër projektit në Zvërnec po zgjerohet/ Në Suedi, ushtojnë thirrjet për tubime masive

Kundërshtimi ndaj projektit turistik në Zvërnec dhe Sazan po zgjerohet edhe jashtë Shqipërisë. Përmes rrjeteve sociale është shpërndarë një thirrje për protestë paqësore në Stokholm të Suedisë, e planifikuar të mbahet më 13 qershor.

Sipas posterit të publikuar, manifestimi do të zhvillohet në sheshin Mynttorget, nga ora 15:00 deri në 17:00, nën sloganin “Shqipëria nuk është në shitje”.
Organizatorët deklarojnë se protesta synon mbrojtjen e natyrës së mbrojtur të Shqipërisë, transparencën dhe respektimin e parimeve të shtetit të së drejtës.
Në materialin promovues përmenden në mënyrë të veçantë Zvërneci dhe Sazani, ndërsa flamingoja është përdorur si simbol i fushatës kundër projektit.
Protesta vjen në një kohë kur kundërshtimet ndaj investimit kanë hyrë në ditët e tyre të njëpasnjëshme në Shqipëri dhe kanë tërhequr vëmendje edhe në diasporë.


