“Nuk pranonte të takohej me njeri, kishte paranoja nga kamerat, lokalet”, flet miku i Rudolf Nikollit

Aktualitet

“Nuk pranonte të takohej me njeri, kishte paranoja nga kamerat,

Rudolf Nikolli është 34-vjeçari që ka plagosur pesë persona me thikë ditën e djeshme në orën 14:00, në xhaminë “Dine Hoxha”. Në rajonin policor, ai ka dëshmuar se kishte parë ëndërr sikur e tallnin dhe e bullizonin, gjë që e çoi edhe në kryerjen e aktit të rëndë.

Kjo nuk është hera e parë që ai ka sulmuar njerëz. Një muaj më parë, ai plagosi një tjetër person me thikë në një terminal autobusësh dhe u shpall në kërkim nga policia. Vetë prindërit dhe familjarët e Nikollit deklaruan se i riu vuante nga depresioni.

Sot ishte në një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin “Shqipëria Live”, miku i tij, Xhevdet Spahiu. Ai tha se ka 20 vite që e njeh, madje në periudhën 2007-2008 kanë jetuar në një apartament së bashku.

“Ka qenë njeri normal, i sjellshëm, i angazhuar me punë. Kohët e fundit ka pasur probleme. Ka pasur frikë, ankth. Merrte kurim, por ilaçet nuk i pinte rregullisht. E kam takuar disa ditë para se të bënte ngjarjen te terminali i autobusëve. Ai kishte kohë që nuk takohej me miq. Me mua pranoi të takohej, po kishte paranojën e lokaleve, kamerave”, tha miku i Rudolfit.

Spahiu u shpreh se ai i kishte thënë se e përndjekin, por nuk i kishte treguar asgjë më shumë.

“U shqetësova nga këto që më tha dhe komunikova me familjarët që më thanë se është me ilaçe. Ka dalë nga spitali për një festë familjare dhe nuk është kthyer më. Nuk i kanë dhënë fletë-dalje. Nuk kishte një diagnozë. Familjarët nuk dinin. Sipas mjekut ka pasur depresion të thellë”, shtoi Xhevdeti.

I pyetur se kur i kanë nisur këto shqetësime, Spahiu tha se në muajin e dytë të izolimit, që në prill të vitit të kaluar.

“Kishte konspiracione, gjëra imagjinare. Është izoluar, nuk ka dalë nga shtëpia, nuk ka takuar njeri. Mund të ketë pasur gjëra të tjera, por ka ndodhur në kohën e izolimit. Para ngjarjeve të rënda ka punuar, ka qenë jashtë në Angli për dy vite. Pas kthimit në Angli nuk kam pasur shumë kontakte me të, nuk e di çfarë i ka ndodhur”, tha miku i Rudolfit.

Ai shtoi se para 10-ditësh ka takuar vëllain e Rudolfit, i cili i kishte thënë se nuk i merrte ilaçet. Spahiu tha se ai ishte katolik i konvertuar në mysliman, por kjo nuk ka aspak lidhje me veprimet e tij.

ME TE LEXUARAT