Mbahej i burgosur në Venezuelë, Ministria e Jashtme: Jozef Ndoci ndodhet i lirë dhe i sigurt

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka sqaruar opinionin publik ne lidhje me shtetasin shqiptar z. Jozef Ndoc, qe ndodhej i burgosur ne Venezuele.
Reagimi i Ministrisë së Jashtme
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme informon opinionin publik se shtetasi shqiptar z. Jozef Ndoci, i cili mbahej i burgosur në Venezuelë për më shumë se një vit (tetor 2024 – janar 2026), është liruar dhe ndodhet tashmë në gjendje të sigurt.
Z. Ndoci mbahej në burgun e sigurisë së lartë El Rodeo, në shtetin Miranda dhe lirimi i tij u realizua pas një procesi të zhvilluar gjatë ditëve të fundit, në kuadër të lirimit të një numri të të burgosurve të huaj në Venezuelë. Pas transferimit të përkohshëm në ambientet e DGCIM, ai u lirua dhe aktualisht ndodhet nën kujdesin e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (ICRC) në Karakas.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme shpreh mirënjohjen për kontributin e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq dhe për bashkëpunimin e përfaqësive diplomatike partnere në Karakas.
MEPJ rikonfirmon angazhimin e saj për mbrojtjen e shtetasve shqiptarë kudo që ata ndodhen.


