Makinat përplasen "kokë më kokë" në Durrës, plagosen tre persona
Një aksident ka ndodhur pasditen e të dielës në Durrës me pasoje plagosjen e tre personave. Dy mjete tip “Wolksvagen Golf” janë përplasur me njëri-tjetrin ‘kokë më kokë’.
Njëri prej mjeteve ka përfunduar në kanal si pasojë e përplasjes së fuqishme.
Aksidenti rrezikoi të përfundonte me pasoja të rënda, pasi në mjetin që përfundoi në kanal ndodheshin edhe dy minorenë.
Nga informacionet e para mësohet se dy drejtuesit e mjeteve, bashkë me pasagjerët, janë transportuar në spital, por ata ndodhen të gjithë në gjendje të mirë shëndetësore.
Aksidenti u regjistrua në zonën e ish-Kënetës në rrugën dytësore që shkon drejt kampusit të UAMD-së.
Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të këtij aksidenti.
Durrës/Informacion paraprak
Rreth orës 17:40, në lagjen nr. 17/1 Durrës, automjeti me drejtues A. K, është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin A. Z, ku si pasojë e përplasjes automjeti me drejtues shtetasin A. Z, ka dalë nga rruga.
Si pasojë janë dëmtuar jashtë rrezikut për jetën tre shtetas, pasagjerë në këto mjete të cilët ndodhen nën kujdesin e mjekëve jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave dhe shkakut të aksidentit.