Lirohet shoferi i dehur që përplasi familjen me 6 anëtarë, e reja në koma
Një aksident i rëndë ndodhi tre ditë më parë në aksin rrugor Prrenjas-Qafë Thanë ku për pasojë mbetën të plagosur 6 anëtarë të një familje. Mes tyre, një vajzë 23-vjeçare ndodhet në gjendje kome tek spitali i Traumës dhe gjendja e saj mbetet kritike. Ata u përplasën nga një automjet që lëvizte me shpejtësi.
Automjeti që përplasi familjen drejtohej nga një 44-vjeçar nga Peshkopia i identifikuar si Jetmir Daci. Ky i fundit u ndalua nga policia pas aksidentit dhe iu bë testi i alkoolit. Daci rezulton i dehur në masën 0.4 mg/ml. Ai në momentin e aksidentit kishte kryer një parakalim të gabuar dhe për pasojë doli nga rruga.
23-vjeçarja është zënë poshtë nga dhe mësohet se ka marrë dëmtime në kokë e organet jetësore. Lëndime kanë marrë gjithashtu edhe babai i tyre Artan Pishkashi e gjyshja që ndodhej bashkë me ta. Artan Pishkashi, emigrant në Greqi, ishte kthyer në vendlindje për arsye familjare.
Por, me urdhër të prokurorit të rrethit të Elbasanit, 44-vjeçari u lirua nga policia dhe po ndiqet në gjendje të lirë. BalkanWeb raporton se policia e Librazhdit bën të ditur se kanë zbatuar urdhrin e prokurorit në rastin e lirimit nga qelia të Jetmir Dacit.