Katastrofat natyrore “dërrmuan” Kinën: 3.3 miliardë dëme vetëm deri tani këtë vit
3.3 miliardë dëme kanë shkaktuar në Kinë vetëm në tremujorin e parë të vitit përmbytjet, thatësirat, një tërmet dhe i ftohti i acartë.
Në një bilanc të katastrofave natyrore që kanë goditur deri tani vendin, ministria kineze për Menaxhimin e Emergjencave përcillte detajet e dëmit të shkaktuar nga klima e ftohtë, më pas nga një tërmet 7.1 shkallësh i Rihterit në rajonin veriperëndimor Ksinjiang, rrëshqitjet e dheut në provincën Junan dhe vërshimet në Lumin e Verdhë. 79 persona humbën jetën si pasojë e këtyre ngjarjeve, 110.000 të tjerë u desh të braktisnin shtëpitë e tyre ndërsa në total 10.4 milionë vetë janë prekur në një formë apo një tjetër.
Problemeve nga fatkeqësitë e mësipërme iu shtuan edhe thatësira në disa rajone dhe zjarret pyjore në jugperëndim dhe jug të shtetit. Ministria pati pohuar në janar se planifikon nisjen e një fushatë trevjeçare për të përmirësuar përgjigjen e shtetit ndaj katastrofave natyrore dhe aksidenteve, përfshirë rritjen e sigurisë në disa sektorë siç janë minierat. Kina është përballur me fatkeqësi të njëpasnjëshme natyrore muajt e fundit, përfshirë disa tajfunë e rrebeshe tmerruese breshëri.
Vera e 2023-shit atje u cilësua si “vera e shkatërrimit klimatik”, pasi shkaktoi si nxehtësi ekstreme, ashtu edhe përmbytje masive, të cilat goditën edhe zona të cilat nuk kishin përjetuar kurrë më parë fenomene të në ashpërsie të tillë.