Inceneratori i Tiranës në gjyq, SPAK mbyll hetimet, nën akuzë janë 12 persona

Pese vite iu deshen Prokurorisë së Posaçme për të dërguar për gjykim 12 të pandehur për inceneratorin e Tiranës. Mes tyre bën pjesë Mirel Mërtiri, Klodian Zoto si dhe 10 persona të tjerë bashkëpunëtorë në dhënien e koncesionit përfshirë dy të huaj. Ndaj tyre rëndon akuza mashtrim me pasoja të rënda dhe pastrim parash përmes krimit të organizuar.
Në krye të kupolës së grupit kriminal, SPAK thotë, se qëndrojnë dy biznesmenët në arrati, Mërtiri dhe Zoto të cilët nuk janë arrestuar asnjëherë ndonëse janë shpallur në kërkim për të tre inceneratorët edhe të Elbasanit edhe të Fierit, si përgjegjës për krijimin e skemës së mashtrimit.
Nga hetimet doli zbuluar se janë pastruar të paktën 20 milionë euro, ndërsa u hodh dritë se vepra është kryer në vazhdimësi që nga momenti i lidhjes së kontratës koncesionare më 31 gusht 2017. Vlerat monetare janë marrë nga llogaria bankare e shoqërisë dhe injektoheshin në treg nga kompanitë fantazmë brenda dhe jashtë vendit.
Ndërkaq, në prill të 2025, Gjykata e Posaçme shpalli fajtor ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka, për inceneratorin e Tiranës. Ai u akuzua se shpërdoroi detyrën dhe u dënua me 3 vjet burg, dënim që me gjykim të shkurtuar u ul në 2 vjet heqje lirie.
Togat e zeza gjithashtu i ndaluan ish-zyrtarit ushtrimin e funksioneve publike për 5 vitet e ardhshme.
Dosja e inceneratorit të Tiranës ishte ndarë në tre fraksione. Në një prej tyre është edhe ish-sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, Alqi Bllako. Ai u dënua për korrupsion, ndërsa Gjykata vendosi që çështja ndaj tij të gjykohej veçmas.
Bllako u dënua me 4 vjet burg, dënim që me gjykim të shkurtuar u ul në 2 vjet e 8 muaj heqje lirie.


