Hamasi: Nisin bisedimet për fazën e dytë të lirimit të pengjeve dhe armëpushimit në Gaza
Kanë nisur bisedimet për fazën e dytë të marrëveshjes së pengjeve dhe armëpushimit në Gaza, tha sot Hamasi.
“Negociatat për fazën e dytë kanë filluar”, thuhet në deklaratën e organizatës palestineze, duke pretenduar më tej se Izraeli po “shmang dhe po vonon” zbatimin e marrëveshjes për çështjen e ndihmës humanitare.
Njoftimi për rifillimin e bisedimeve i referohet, sipas vlerësimeve të mediave izraelite, diskutimeve mes Hamasit dhe ndërmjetësve.
Izraeli ka thënë se do të dërgojë një ekip në Doha, kryeqyteti i Katarit, për bisedime në ditët në vijim.
Sipas marrëveshjes fillestare të armëpushimit, bisedimet për fazën e dytë do të fillonin në ditën e 16-të të armëpushimit, pra dje.
Faza e dytë do t’i jepte fund luftës dhe do të siguronte lirimin e pengjeve të mbetura të gjallë.