Goditet mafia shqiptare e drogës në Francë! Kokainë, armë dhe miliona euro të sekuestruara, 7 të arrestuar

Një operacion i përbashkët mes autoriteteve franceze dhe belge ka goditur një rrjet ndërkombëtar të trafikut të drogës, duke çuar në arrestimin e shtatë shtetasve shqiptarë dhe sekuestrimin e sasive të mëdha të lëndëve narkotike.
Sipas mediave të huaja, aksioni nisi më 10 qershor në Francë, ku xhandarmëria franceze zhvilloi rreth 12 kontrolle në rajonin e Bretanjës. Gjatë operacionit u arrestuan katër shqiptarë të moshave 21, 30, 30 dhe 32 vjeç, të dyshuar si pjesë e një organizate kriminale që trafikonte drogë mes Belgjikës dhe Francës.
Prokuroria e Rennes ka bërë të ditur se të arrestuarit janë vënë nën hetim nga Juridiksioni Ndërrajonal i Specializuar (JIRS) dhe janë lënë në paraburgim.
Një ditë më vonë, autoritetet belge zhvilluan 14 kontrolle të tjera, duke arrestuar edhe pesë persona të dyshuar, mes tyre tre shtetas shqiptarë.
Sipas hetimeve, organizata kriminale përdorte një apartament në Belgjikë si laborator për përpunimin, përzierjen dhe paketimin e drogës përpara shpërndarjes në tregun francez.
Transporti i lëndëve narkotike kryhej me automjete të pajisura me vende të fshehta të sofistikuara, të ndërtuara posaçërisht për t’iu shmangur kontrolleve policore.
Gjatë operacionit, autoritetet sekuestruan 13 kilogramë kokainë, 26 kilogramë produkte kimike për përpunimin e drogës, bidonë me aceton dhe amoniak, si dhe pajisje për paketimin e narkotikëve. Po ashtu, u gjet një presë për kokainë me logo të ndryshme identifikuese.
Në kuadër të aksionit janë sekuestruar edhe dy pistoleta, një armë gjahu, 19 automjete disa prej tyre luksoze i dhe bizhuteri me vlerë totale rreth 400 mijë euro.
Autoritetet raportojnë gjithashtu sekuestrimin e mbi 90 mijë eurove cash dhe bllokimin e dhjetëra llogarive bankare në Belgjikë.


